Jeni kuriozë të provoni kuzhinën spanjolle? Nuk ka nevojë të shkoni në Spanjë. Këtë mund ta bëni tashmë fare lehtë në Tiranë. Kuzhinieri iberik Francisco Arriola, pas pjesëmarrjes në konkursin MasterChef, ka hapur një restorant në kryeqytetin tonë duke ofruar një “udhëtim” në gastronominë spanjolle.

Në një intervistë, Francisco thotë se gjërat në Tiranë po i shkojnë për mrekulli dhe thekson se, pjesëmarrja në programin e transmetuar në Top Channel i ka dhënë një stimul të fortë.

Francisco, si është jeta jote pas MasterChef?

Çdo gjë shkon për mrekulli! Më në fund, unë kam restorantin tim në Tiranë. Kjo ishte dhe arsyeja kryesore e pjesëmarrjes sime në MasterChef dhe tashmë ëndrra u realizua.

Si lindi ideja e restorantit?

Unë kam pasur një punë të mirë në Spanjë, por u mërzita prej saj. Mungonte pasioni. Gastronomia më ka pëlqyer gjithmonë dhe vendosa të hapja një restorant jashtë Spanjës, pa e ditur në cilin shtet. Një miku im më ftoi në Kosovë dhe më pas u njoha me Shqipërinë… ishte dashuri me shikim të parë!

Si po shkon puna në restorant dhe cilat kanë qenë vështirësitë?

Çdo gjë po shkon mirë, më mirë nga sa mund ta kisha menduar. Por ka edhe vështirësi: duhet shumë kohë, zgjedhja e personelit të duhur për restorantin, zgjedhja e menusë, trajnimi i kamarierëve, etj. Për mua është shumë e rëndësishme që klientët e mi të ndihen si në shtëpi. Shumë mund të mendojnë se të qenit internacional më ka hapur dyert, por ju siguroj se asgjë në jetë nuk është falas, duhet shumë punë për të realizuar ëndrrat.

Ti ke qenë një personazh mjaft i pëlqyer në MasterChef. Shumë shqiptarë kanë bërë tifo për ty. A kanë ardhur në restorant fansat e tu?

Po dhe jam shumë i kënaqur për këtë. U jam shumë mirënjohës gjithë shqiptarëve dhe njëkohësisht vihem para përgjegjësisë, që ata të kënaqen kur vijnë tek unë. Çfarëdo që të ndodhë me restorantin në të ardhmen, nuk kam për ta harruar kurrë dashurinë dhe respektin që shqiptarët treguan ndaj meje.

Çfarë menu ka restoranti yt? A gatuan ti vetë?

Menuja është e ndarë në dy llojë: ushqime tradicionale spanjolle (tapas, paellas, gazpacho…) dhe disa pjata moderne, që unë i kam prezantuar edhe në program. Më pëlqen që të gatuaj para klientëve, që edhe ata të mësojnë si bëhet, por më së shumti preferoj të qëndroj në sallë për të parë reagimet e tyre dhe s’ka gjë më të bukur se komunikimi me ta, sugjerimet që më japin. Kuzhina që unë prezantoj quhet “udhëtim gastronomik rreth Spanjës”, sepse është një menu me tapas nga të gjitha qytetet. Është një udhëtim imagjinar, pa lëvizur nga tavolina.

Alfio dhe Miklovani janë gjithashtu shefa në një restorant të njohur në Tiranë. Ke shkuar të hash ndonjëherë tek restoranti i tyre?

Po, sigurisht dhe ia kam kaluar shumë mirë. Ata janë të dy shumë profesionistë.

Për të gjithë ata që duan të provojnë kuzhinën spanjolle, ku mund të të gjejnë?

Janë të mirëpritur të gjithë tek “Hola!”, që gjendet në Bllok, rruga “Ismail Qemali”, përballë BKT.

Siç e di, ne jemi në prag të sezonit të dytë të MasterChef. Cili është mesazhi yt për gjithë aspirantët që duan të bëhen një ditë MasterChef?

Nëse ata besojnë vërtet tek pasioni i tyre për gatimin, atëherë ia vlen të luftosh për të! Suksese!

FOTO GALERI
1/2
Një madrilen në Tiranë

Top Channel