Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se jo vetëm ata që ndërtojnë pa leje do të arrestohen por edhe çdo kompani që i ofron shërbim do të proçedohet penalisht.

Ministri i Brendshëm i beri apel ndërtuesve, por edhe punëtorëve apo transportuesve, se nëse do të shërbejnë për një ndërtim pa leje do të kenë pasoja ligjore.

“Për t’i bërë apel çdo individi që përfshihet në veprimtari ndërtimore dhe për t’i bërë apel çdo kompanie që ofron shërbime të çfarëdollojshme për veprimtari ndërtimi, që të verifikojnë paraprakisht ligjshmërinë e aktivitetit ku janë përfshirë dhe ku përfshihen. Çdo punëtor, mbikëqyrës kantieri, përgjegjës transporti i çfarëdolloj lënde ndërtimore, përfshirë edhe çdo mjet që transporton lëndë ndërtimore për llogari të kësaj veprimtarie kriminale do të ndalohet, do të shoqërohet në polici, do të proçedohet penalisht dhe do të dërgohet para drejtësisë për pjesëmarrje në këtë veprimtari kriminale”, deklaroi Tahiri.

Policia e Shtetit me ligjin e ri do të hetojë edhe çdo pasuri të atyre që kanë ndërtuar pa leje. “Në përmbushje të detyrave të saj, Policia e Shtetit do kërkojë në mënyrë të menjëhershme të administrojë të gjitha lejet ndërtimore të dhëna nga autoritetet vendore, si dhe të gjitha praktikat për legalizim. Çdo ndërtim do t’i nënshtrohet kontrollit të rreptë të Policisë së Shtetit dhe çdo veprimtari e paligjshme do proçedohet penalisht, përfshirë këtu dhe hetimin pasuror të porositësit të ndërtimit pa leje, të ndërtuesit dhe të kujtdo tjetër që e ka lejuar ndërtimin pa leje”, theksoi Tahiri.

Tahiri u bëri thirrje të gjithë qyetarëve të telefonojnë në numrin 129, për çdo ndërtim pa leje, prerje pyjesh apo shfrytëzim dhe dëmtim të lumenjve apo të palzheve.

PD: Qeveria lejon shkatërrimin e mjedisit

“Dje, kryeministri tha se krimi ndaj mjedisit është një vrasje. Jemi sot për të denoncuar një “vrasje” 100 metra larg shtëpisë së re të kryeministrit.”

Partia Demokratike ka marrë përsipër të denoncojë ato që ajo i quan raste selekive të lejimit të ndërtimeve pa leje për njerëz të afërt me qeverinë. I tillë, sipas demokratëve, është një ndërtim që ka nisur të kryhet së fundmi në Surrel, në komunën Dajt.

“Ky ndërtim pa leje bëhet nga njeriu më i afërt i ministrit Erion Veliaj, 100 metra larg shtëpisë së re të kryeministrit. Kodra ka qenë e gjelbëruar tre muaj më parë, por për interesa klienteliste dhe korruptive të qeveritarëve dhe njerëzve të tyre të afërt ka marrë një pamje krejt tjetër”, tha Ervin Salianji, koordinator për ndihmë ligjore në PD.

Partia Demokratike denoncoi si propagandë vendosmërinë publike të kryeministrit Edi Rama për të mos lejuar asnjë ndërtim pa leje dhe për të vendosur kontrollin e shtetit mbi territorin: “Banorët janë ankuar në institucionet qeveritare duke gjetur shurdhërinë e tyre. PD-ja do të denoncojë fuqimisht këtë prishje të ndërtimeve selektive të njerëzve të pamundur dhe çdo ndërtim pa leje që bëhet me bekimin e kryeministrit dhe me mbrojtjen e kryeministrit. Ky është standarti Rama.”

Top Channel