“Fullani, informacion të pjesshëm”

26/08/2014 00:00

Deputeti socialist Erjon Braçe njoftoi në faqen e tij në Facebook se guvernatori Fullani ka dorëzuar vetëm pjesërisht informacionin e kërkuar nga Kuvendi.

Braçe thotë se Fullani dorëzoi të hënën pasdite në Kuvend informacionin e kërkuar për “Organigramën e Bankës së Shqipërisë sipas funksioneve dhe përgjegjësive në linjën vertikale të drejtimit; Buxhetin e Bankës së Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim; Raportin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim”.

Por, sipas deputetit socialist, Fullani refuzon të dërgojë në Kuvend informacionin e kërkuar për “listën e punonjësve të Bankës së Shqipërisë shoqëruar me funksionet për gjithësecilin; Kontratat e investimeve të lidhura nga Banka e Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim me vlerat respektive, afatet dhe kompanitë e kontraktuara”.

Braçe thotë se Guvernatori nuk dorëzon listën e punonjësve sepse insiston të mbrojë tërësisht nepotizmin, klientelizmin politik dhe klientelizmin e lidhur me interesa të biznesit që është instaluar në Bankën e Shqipërisë e që është një nga problemet kryesore të degradimit nga pikëpamja institucionale dhe përgjegjësive të institucionit.

“Guvernatori nuk dorëzon raportet e grupeve të punës të ngritura pas vjedhjes në Bankën e Shqipërisë sepse kërkon të fshehë deri në fund ç’ka ndodhur në Bankë në rastin e vjedhjes së zbuluar tashmë, kërkon të fshehë mekanizmin dhe përgjegjësinë e gjithë autoritetit komandues të Bankës nga Guvernatori, zëvendësguvernatori, Këshilli, departamentet, përgjegjësit e sektorëve”, reagon Braçe.

Top Channel