SHBA, kërcënimi i xhihadistëve

27/08/2014 00:00

FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare amerikane i kanë dërguar një raport zyrtarëve të Uashingtonit, duke paralajmëruar se sulmet ajrore të SHBA-ve në Irak mund të provokojnë hakmarrje nga përkrahës të islamizmit në Amerikë.

Ky lajm bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “Fox News”, e cila thotë se zyrtarë amerikanë të zbulimit  zotërojnë prova se militantët e huaj, të cilët u nisën drejt Irakut e Sirisë ,tani po kthehen në vendet e tyre duke krijuar qelizat e një shteti islamik.

Edhe pse nuk ka prova konkrete për një komplot të ISIS kundër SHBA, ky raport i fundit thjesht vë në dijeni instancat e larta amerikane dhe jo vetëm, se duhet të jenë vigjilente ndaj kërcënimit të xhihadistëve.

Megjithatë është e vështirë, që të parashikohen sulmet terroriste pasi ata janë të mirë-organizuar në komplotet e tyre.

Prania e grupit xhihadist jashtë Irakut dhe Sirisë mbetet një kauze e madhe, qoftë për SHBA, edhe për Europën, prandaj sipas zyrtarëve të zbulimit – duhet të nisë sa me shpejt një operacion i gjerë zbulimi nga udhëheqja e lartë.

Më herët, Presidenti amerikan, Barack Obama autorizoi fluturime survejimi mbi Siri për të krijuar një tablo më të qartë të gjendjes atje. Kreu i shtetit amerikan theksoi se ky operacion nuk është në kuadrin e ndonjë sulmi ushtarak.

Top Channel