Sfida e qytetarisë

27/08/2014 00:00

Dorian Koçi – Në këto ditë të nxehta vere, ku dukej se do të shtyheshin njëra pas tjetrës pa lajm dhe pa nerv, papritur tri ngjarje shënjuan gushtprushin që na zgjuan si nga një ëndërr e keqe, ku rehatllëku i marrjes së statusit të vendit kandidat na kish bërë të besonim për një moment se jetojmë në një vend normal.

Banka e Shqipërisë dhe siguria e lekëve të shqiptarëve për herë të tretë gjatë këtij tranzicioni të gjatë janë tronditur, duke përcjellë në publik mendimin populist se kush ka të bëjë me lekët, pa qenë i zoti i tyre, mund edhe t’i përvetësojë ose e thënë ndryshe, situata është një reflektim i thënies popullore që e dëgjojmë gjithandej kafeneve sa herë që diskutohen financat e shtetit se ku ka “rrjedhur do pikojë”. Stabiliteti makrofinanciar i një vendi, përveç garancive dhe zotimeve për siguri financiare, ka në fakt nevojë dhe për një etikë morale të sigurimit të kësaj garancie. Për këtë arsye, menaxhimi i kësaj situate është dhe një gur prove i shoqërisë dhe politikës shqiptare për të parë se përballë kalkulimeve meskine të mbështetjes së emrave të përveçëm qëndron interesi publik dhe ringritja morale e shoqërisë shqiptare. Në të kundërt, mosndëshkimi nuk do të sjellë asgjë të re në tokën buzë Adriatikut, përveçse do të thellojë kulturën negative të mosndëshkimit dhe të mosmbajtjes së përgjegjësisë.

Rasti i dytë, ai i Sarandës, ndiej neveri që të përshkruaj sërish skenën, sepse nuk dëshiroj t’i bashkëngjitem një dhunimi të vazhdueshëm të psikikës së vajzës 14-vjeçare duke e bërë kryelajm ngjarjen e trishtë të saj, na kujtoi sërish se në këtë vend zhvillimi industrial dhe infrastrukturor ka ecur në përpjesëtim të zhdrejtë me zhvillimin social dhe shëndoshjen e moralit psikik të një shoqërie normale. Reagimi i menjëhershëm i qeverisë dhe i shoqërisë civile duhet përshëndetur, por elementi parandalues duhet të jetë më efikas nëpërmjet filtrave të besueshëm që një shoqëri moderne ndërton ashtu si funksionon dhe në vendet e tjera të Perëndimit. Politizimi i pakuptimtë i kësaj çështjeje nuk i shërben askujt, sepse situata kthehet njëlloj si te pavijoni i kancerozëve të Solzhenicinit, ku askush nuk është i imunizuar ndaj së keqes.

Lajmi për ndërtimin e kullave te diga e liqenit mbiu tamam si në baladat shqiptare. Nga qendra e Tiranës, bash nga zyrat kryesore të bashkisë së saj, doli si një re dhe puhizë për të betonizuar të vetmen mushkri të mbetur të metropolit, vendim që sërish vë në pikëpyetje mbarëvajtjen e shtetformimit dhe sundimin e ligjit në vendin tonë. E gjithë historia jonë e 23 viteve demokraci i ka përngjarë një historie ngutjeje e plaçkitjeje të ethshme në fundmandati për të kënaqur ca interesa ekonomike dhe një kastë njerëzish të privilegjuar që s’u bën “syri tërr” se prishin habitatin jetësor të njerëzve përfshi këtu dhe të fëmijëve të tyre, përballë fitimit të ethshëm dhe të menjëhershëm.

Rezistenca ndaj fenomeneve të mësipërme, edhe pse në dukje shpeshherë shoqëria civile që proteston duket sikur është e paktë në numër, në fakt janë fibrat e vetme prej nga mund të fillojë të ribëhet e ringjallet një moral i shëndoshë i shoqërisë. Tashmë i kemi kaluar ethet e tranzicionit dhe ka ardhur koha për të dëshmuar se ankesat tona ndaj mospranimit të statusit kandidat më tepër se klithma qaramane të një fëmije të pamaturuar kanë qenë klithma pakënaqësie, pasi vlera të tilla integriteti qytetar dhe cilësie të jetesës si sundimi i ligjit, punësimi i drejtë, dënimi i nepotizmit, ambienti etj., i kemi kuptuar mirë dhe i kemi bërë pjesë të ndërgjegjes sonë. Rrugëtimi drejt Europës nuk është aspak një rrugëtim gjeografik, por mbi të gjitha një rrugëtim kulturor dhe mentaliteti. Nëse nuk arrijmë ta kuptojmë këtë gjë, do të integrohemi me hapat e breshkës, ku lart mbi zhguall shoqëria shqiptare do të mbajë të gjitha mëkatet e saj, të gatshme përherë për të krijuar probleme dhe për të ngecur në vend. Forca morale fillon nga vetja, ndaj tani është momenti më tepër se kurrë të përshkitim lidhjen me moralin e dyshimtë të individualizmit të sëmurë dhe të përftojmë solidaritetin e së mirës së përgjithshme. Kjo është sfida jonë nëse duam që një ditë të zgjohemi në Europën e qytetarit me të drejta e detyrime dhe jo në Europën e qytetëruar, ku do të rrekemi vetëm të përfitojmë nga të mirat që afron politika e përbashkët ekonomike e kulturore e Bashkimit Europian.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel