Mbyllet misioni shqiptar në Afganistan

27/08/2014 00:00

Misioni i tetë i luftimit në Kandahar i forcave ushtarake shqiptare ka përfunduar. Duke pritur ushtarakët pjesëmarrës në luftë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u shpreh se forcat tona luftuan pikërisht në zonën e quajtur “kështjella terroriste”.

“Rajoni i veprimeve të “Eagle-8” është vlerësuar si kështjella e aktiviteteve terroriste në jug të Afganistanit, ku forcat talebane kanë qenë gjithmonë prezente dhe shumë aktive. Që nga viti 2010, kur nga Batalioni i Forcave Speciale u nis për herë të parë në mision luftarak “Eagle-1” në përbërje të forcave të ushtrisë amerikane dhe deri më sot, efektivat tuaja kanë dhënë një kontribut të çmuar në luftën kundër terrorizmit dhe vendosjes së paqes dhe stabilitetit në zonat më të nxehta”, tha ministrja.
 
Zonja Kodheli gjatë fjalimit i kërkoi luftëtarëve të gjejnë shembullin e mirë për karrierat e tyre tek dëshmori Feti Vogli, i vrarë në Afganistan.

Ndërsa ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksander Arvizu, u shpreh se SHBA-të vlerësojnë lidershipin civil dhe ushtarak në vend.
“SHBA-të vlerësojnë kontributin dhe sakrificën tuaj. Ne vlerësojmë gjithashtu edhe lidershipin civil dhe ushtarak që me urtësi po drejton në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në dhe aletatët e tjerë”, deklaroi Arvizu.
 
Ky është misioni i fundit luftarak i forcave shqiptare në Afganistan.

Top Channel