Një kontroll i befasishëm për zbatueshmërinë e ligjit anti-duhan është kryer mëngjesin e së mërkurës në disa subjekte në qytetin e Elbasanit.

Në këtë kontroll janë angazhuar inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe ata të Drejtorisë së Shëndetit Publik të Elbasanit.

I pranishëm Kryeinspektori Eltar Deda u shpreh për angazhimin deri në zbatimin e plotë të këtij ligji.

“Inspektimi i sotëm ishtë i befasishëm. Ishin njoftuar institucionet. Gjithë qytetarët, bizneset e kanë kuptuar dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Nga ana jonë nuk do të ketë sprapsje për zbatimin e ligjit. Jemi në kontakt me të gjithë qytetarët, bizneset dhe institucionet për t’i ndërgjegjësuar se ligji anti-duhan do të zbatohet me përpikmëri nga ana jonë. Do të ketë ecje përpara në drejtim të ruajtjes së shëndetit të popullatës”, thotë kryeinspektori Eltar Deda.

Deda vuri theksin në rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për zbatimin e këtij ligji dhe dëmet që sjell fenomeni.

Ndryshimet në ligjin kundër konsumit të duhanit në ambientet publike kanë hyrë në fuqi prej pak ditësh dhe kanë nisur të shihen rezultatet e para.

Në ligj parashikohen gjoba në vlera të konsiderueshme, që nisin nga 300 mijë lekë për bizneset, në 50 mijë lekë për personin përgjegjës në institucionet publike apo për administratorët e deri në 5 mijë lekë për duhanpirësin.

Top Channel