Polici i Velipojës, në burg për ngacmim

27/08/2014 00:00

Gjykata ka dhënë të mërkurën masën e ‘ndalimit me burg’ për shtetasin Ernest Paluku, ish-shef i stacionit policor në Velipojë. Ai u arrestua nga SHKB pas denoncimit nga një shtetase e cila kishte shkuar të kërkonte ndihmë pranë këtij komisariati.

Nga hetimet ka rezultuar se, shtetasja R.M, emigrante në Angli, më datë 23 gusht është paraqitur në komisariatin e policisë së Velipojës për të denoncuar bashkëshortin e saj, për shkak se ky i fundit e kishte dhunuar dhe kërcënuar duke i dëmtuar makinën.

Por oficeri Paluku, pas pyetjeve që i ka bërë denoncueses, i ka dhënë asaj një numër telefoni tjetër, duke i thënë që ta kontaktonte, si dhe më pas i ka ofruar një natë në një hotel të Velipojës.

Madje, pas refuzimit polici ka tentuar ta puthë me forcë gruan, por ajo është larguar dhe pak ditë më vonë ka bërë denoncimin në komisariatin e Shkodrës, ku ka treguar mesazhet, telefonatat dhe postimet në Facebook nga oficeri i policisë.

Prokurori i çështjes ka verifikuar të gjitha këto të dhëna duke konsideruar se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur akuzë ndaj Palukut. Në këto kushte u proçedua me arrestimin në flagrancë të tij.

Top Channel