Ukrainë, separatistët marrin qytetin jugor

27/08/2014 00:00

Separatistët pro-rusë në Lindje të Ukrainës përparuan drejt porti të qytetit Novoazovks, në jug-lindje të vendit duke kërcënuar me nisjen e një fronti të ri në konfliktin që zgjat prej disa muajsh.

Kryebashkiaku i qytetit port në Detit Azov deklaroi se rebelët kanë hyrë në disa pjesë të qytetit ku janë përshëndetur nga pjesa e banorëve rusishtfolës të tij.

Separatistët prej muajsh janë përpjekur që të çajnë rrethimin e ushtrisë në veri, në afërsi të Donetskut por pa sukses.

Ky zhvillim vjen në një moment kur për herë të parë që nga muaji qershor presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai ukrainas, Petro Poroshenko shtrënguan duart dhe biseduan direkt për situatën gjatë takimit në Minsk.

Poroshenko tha se një “udhërrëfyes” do të përgatitet sa më shpejt të jetë e mundur për t’i dhënë fund luftimeve të ashpra ndërmjet trupave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë, ndërsa Vladimir Putin u shpreh se vendi i tij do të mbështesë dialogun, por ndalimi i luftimeve është një çështje e vetë Ukrainës.

Bisedimet mes dy liderëve zgjatën për rreth dy orë me dyer të mbyllura. Zyrtarët ukrainas thanë se po synohet të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur një armëpushim, i cili absolutisht duhet të jetë dypalësh.

Me anë të një deklarate Poroshenko shtoi: Qëllimi kryesor i yni është arritja e paqes. Ne jemi duke kërkuan veprime vendimtare, të cilat do të sillnin paqen në Ukrainë. Ideja e planit të paqes është përkrahur nga të gjithë kryetarët e shteteve, pa përjashtim.

Ukraina akuzon Rusinë për armatosjen e rebelëve, një akuzë e mohuar kategorikisht nga Kremlini. Dy udhëheqësit u takuan më parë edhe me diplomaten e BE-së, Catherine Ashton.

Më shumë se 2 mijë persona kanë mbetur të vdekur që prej fillimit të luftimeve në Donetsk dhe Luhansk. Dy rajonet shpallën pavarësinë nga Kievi pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia në muajin mars

Top Channel