SHBA: Jo ndërhyrje të jashtme në Libi

27/08/2014 00:00

Faktori ndërkombëtar, kryesisht Shtetet e Bashkuara, nuk e ka mirëpritur ndërhyrjen e Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kundër milicisë islamike në Libi, përmes sulmeve ajrore.

John Kirby, zëdhënës i Pentagonit, i bëri thirrje dy vendeve që të përmbahen në dhunën e ushtruar ndaj Libisë. Ai konstatoi se, “çdo ndërhyrje e huaj nuk do ta ndihmojë Libinë për të marrë veten nga kaosi”.

Ndërsa zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki i tha gazetarëve se, “Libia është një vend shumë i brishtë, i cili nuk ka fuqi të ndalë militantët e saj”.

E pyetur për ndikimin amerikan dhe të partnerëve të tyre në Libi, Psaki u shpreh me keqardhje se situata politike në vend është mëse e komplikuar dhe shtoi se SHBA mbështesin demokracinë, “e cila duhet të mbizotërojë në Libi edhe nëseqoftëse do të marrë pak kohë”.

Krahas tyre edhe i sapoemëruari i OKB-së në Libi tha se ai nuk beson se ndërhyrja e jashtme është e dobishme. Diplomati Bernardino Leon shtoi se vetëm një proces politik gjithëpërfshirës i vetë libianëve në Parlament dhe institucioneve të tjera shtetërore do të jenë zgjidhja ndaj destabilitetit.

Libia gjendet mes luftrash që nga koha e përmbysjes së diktatorit Moammar Gaddafi tre vjet më parë. Trazirat kanë detyruar qindra diplomatë, shtetas të huaj, si dhe mijëra libianë të braktisin vendin.

Top Channel