Zgjedhja e kryeparlamentarit

27/08/2014 00:00

Koalicioni pas zgjedhor, LDK-AAK-Nisma do t’i krijojë mundësinë Partisë Demokratike të Kosovës për ta propozuar kandidatin për kryetar kuvendi, por jo edhe për ta zgjedhur atë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se deputetët e bllokut do të qëndrojnë në sallë në seancën e dytë konstituive, ndryshe nga ajo e 17 korrikut. Ky qëndrim vjen një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila krijimin e kuorumit për zgjedhjen e kryeparlamentarit e sheh të domosdoshme.

Vendimi  mblodhi sërish në një takim liderët e bllokut me atë të Vetëvendosjes, por pa rezultate konkrete.

“Ne do të jemi në seancën e Kuvendit dhe do të votojmë sipas bindjes sonë. Unë mendoj që vota do të tregojë se kush ka të drejtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Isa Mustafa.  

Mustafa mohoi mundësinë se ndonjë deputet i partisë së tij do ta votojë propozimin e PDK-së. Ai i cilëson propagandë të PDK-së lajmet për këtë çështje.

Nga ana tjetër për Lëvizjen Vetëvendosje, vendimi si i tërë duhet të jetë i papranueshëm. Deputeti Visar Ymeri tha se deputetet e VV-së nuk do të qëndrojnë në sallë në seancën konstituive. Ai shtoi se liderët e bllokut kërkuan kohë për të vendosur rreth pranimit apo jo të kushteve të Vetëvendosjes.
 
“Ne as do ta votojmë kandidatin e PDK-së dhe në asnjë formë nuk do të jemi pjesë e asnjë negocimi apo bashkëpunimi me PDK-në për krijimin e qeverisë. Për sa i përket një marrëveshjeve mes VV dhe bllokut, na është kërkuar pak kohë për të na kthyer përgjigje, nëse kritere që VV i ka paraqitur me shkrim janë të pranueshme për ta. Kjo do t’i hapte rrugë më pas krijimit të përbashkët të qeverisë”, deklaroi Visar Ymeri, deputet i Vetëvendosjes.
 
Seanca konstituve e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet javën e ardhshme.
 

Top Channel