Ekzekutohet me bombë ndërtuesi

28/08/2014 00:00

Një atentat me bombë të telekomanduar i mori jetën sot një 42-vjeçari në qytetin e Vlorës. Viktima është Isuf Brahimaj, banues në fshatin Sherishtë.

Policia ka identifikuar viktimën me iniciale I.K për shkak se personi ka ndryshuar emrat së fundmi. Ndërsa nga shpërthimi është plagosur dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën një 19-vjeçare me inicialet O.M. që ndodhej në automjet me të.

Ngjarja ndodhi në orën 07.14 të mëngjesit të sotëm në rrugën Transballkanike në qytetin e Vlorës, në rrethrrotullimin e njohur si Omonia. Automjeti tip Mitsubishi i bardhë me targa AA 848 JX ishte duke udhëtuar nga Skela në drejtim të daljes së qytetit kur ka shpërthyer në ecje. Pas shperthimit mjeti është përfshirë nga flakët dhe ka ecur edhe disa metra duke u përplasur me një mur rrethues të një banese.

Kalimtarët kanë mundur të nxjerrin vajzën e dëmtuar rënë nga flakët dhe me fraktura në trup, por ende e gjallë dhe e kanë dërguar në spitalin e qytetit. Ndërsa viktima ka mbetur në automjetin që po digjej duke u shkrumbuar.

Mësohet se eksplozivi ishte vendosur në sediljen e shoferit dhe dyshimet janë se drejtuesi i mjetit ishte shënjestra e këtij atentati. Nga shpërthimi shumë i fortë janë dëmtuar edhe xhamat e banesave pranë këtij rrethrrotullimi, ndërsa policia ka ngritur një grup hetimi nga krimet e rënda në Drejtorinë e Përgjithshme nga Drejtoria e Policisë së Vlorës dhe me prokurorët e krimeve të rënda.

Viktima ka qenë edhe njëherë tjetër shënjestër e një atentati me një bombë të vendosur në një motor që përdorej prej tij. Dyshimet e para flasin për një hakmarrje nisur edhe nga fakti se një vit më parë, më datë 31 gusht të vitit 2013, shënjestër e një atentati të ngjashëm në të njëjtin vend ka qenë vëllai i viktimës, shtetasi Bashkim Brahimaj, 40 vjeç. Në atë kohë atentati ndodhi në mëngjes në rrugën transballkanike kur mjeti po lëvizte në drejtim të Skelës.

Dëshmitarët treguan për policinë se shpërthimi ndodhi sapo mjeti tip Benz ishte futur në një lavazh dhe drejtuesi i mjetit doli nga automjeti. Nga shpërthimi 40-vjeçari mori plagë të ndryshme pa rrezik për jetën. Eksplozivi ishte vendosur tek motorri dhe dyshohet se është aktivizuar përmes telekomandimit dhe moskoordinimi i kohës ka bërë që ajo të shpërthejë në momentin kur pronari i saj sapo kishte dalë jashtë makinës.

Policia po heton si pista një hakmarrje të mundshme që mund të lidhet me mosmarrëveshje me persona të ndryshëm gjatë kohës kur ai ka qenë në Itali si emigrant. Ndërkohë, pas kthimit në Shqipëri, viktima është marrë me ndërtime dhe së fundmi ka ndërtuar edhe një hotel në bregdet.

Top Channel