Aksioni kundër ndërtimeve pa leje

28/08/2014 00:00

Policia e Shtetit gjatë operacionit për goditjen e krimit mjedisor njoftoi se ka evidentuar 155 ndërtime pa leje, duke proceduar penalisht 156 persona.

Për 21 persona të cilët nga verifikimet e kryera rezultojnë pronarë të këtyre ndërtimeve pa leje në tokë publike, shtetërore apo tokë të tjetrit, është marrë masa e arrestit në flagrancë, ndërkohë për 130 të tjerë filloi procedimi penal në gjendje të lirë.

Vetëm gjatë së mërkurës u proceduan 108 persona nga të cilët 15 u arrestuan. Numrin më të lartë të procedimeve e ka kryer Drejtoria e Qarkut të Policisë Tiranë, që procedoi 46 persona nga të cilët 7 u arrestuan.

Policia ka vënë në dispozicion të qytetarëve disa mënyra për të denoncuar ndërtimet pa leje që zhvillohen në gjithë vendin.

Një mënyrë është numri pa pagesë 129. Në kryeqytet Drejtoria e Policisë ofron si mundësi edhe faqen e saj në internet, por edhe në Facebook si një mënyrë për të denoncuar rastet e ndërtimeve pa leje.

Në një dalje para mediave, zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, deklaroi: “Jemi të vendosur të përmbushim detyrën për të mbrojtur pasurinë kombëtare.”

PD: Policia merret me shfaqje, jo me krimin
Angazhimi me ndërtimet pa leje e mjedisin e largon nga misioni

Opozita kritikoi qeverinë se po e angazhon Policinë e Shtetit në misione që sipas saj prodhojnë vetëm show televiziv.

Duke iu referuar aksioneve për ndërtimet pa leje apo mbrojtjen e mjedisit, deputeti Helidon Bushati ka deklaruar se policia është duke u larguar nga misioni i saj i vërtetë, siç është ruajtja e rendit dhe sigurisë.

“Edi Rama dhe Saimir Tahiri e kanë zhvendosur policinë duke e hequr nga arsyeja e saj e përditshme: rendi dhe siguria publike. Përdorimi i policisë si sfond qeveritar ka bërë që në terren të gjithë treguesit e sigurisë të përkeqësohen”, ka thënë Bushati. 

Top Channel