Mustafa: Rruga e koalicionit është e drejtë

28/08/2014 00:00

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se situata e re e krijuar në Kosovë është shprehje e demokracisë së brishtë dhe e nevojës për ndërtimin e një demokracie të re.

Përmes një deklarimi në rrjetin social Facebook, Mustafa ka thënë se askush nuk e mohon se një parti, përkatësisht koalicion, ka dalë e para në zgjedhje dhe si rregull mund të provojë t’i formojë institucionet. Por, sipas Mustafës, rrethanat e krijuara po dëshmojnë se partia që doli e para ka vetëm përkrahjen e 30% të votuesve, ndërsa deputetët që kanë 70% të votave, sipas tij, nuk e përkrahin.

Kjo, sipas Mustafës, flet se rruga e koalicionit paszgjedhor është e drejtë. “Në demokraci gjithmonë është e drejtë rruga e atyre që arrijnë të kenë përkrahjen e shumicës. Këtë të drejtë ne do ta konfirmojmë në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me votën dhe vullnetin jodetyrues të deputetëve, ashtu si ua garanton Kushtetuta”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka akuzuar sërish partinë e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi, për kapjen e shtetit.  

Top Channel