Bombula shkatërron shtëpinë

28/08/2014 00:00

Shpërthimi i një bombule gazi paraditen e sotme në qytetin e Vlorës i mori jetën një 70-vjeçari. Viktima është Rrapo Halili, banues në lagjen 24 maji në Vlorë.

Ai ndodhej në banesën e tij njëkatëshe kur bombula e gazit që po vihej në funksionim ka shpërthyer. Vala e shpërthimit ka shkatërruar tërësisht banesën, çatia e së cilës ka rënë duke zënë nën vete edhe 70-vjeçarin.

Në vendin e ngjarjes mbërritën zjarrfikësit, policia dhe të afërmit e viktimës. Pas shuarjes së flakëve të krijuara zjarrfikësit janë përpjekur që të nxjerrin nga rrënojat e banesës 70-vjeçarin. Shkatërrimi ka qenë aq i madh sa ka qenë e pamundur të identifikohet në kohë nëse nën rrëënoja ka patur viktima apo jo.

Bashkëshortja e 70-vjeçarit nuk ndodhej në banesë në atë moment. Pas mbërritjes pranë shtëpisë ajo ka pësuar shok dhe është dërguar në spital në gjendje shumë të rënduar psikologjike. Dyshimet e para të policisë janë se shpërthimi ka ndodhur për shkak të ndonjë shkëndijë elektrike dhe mosfunksionimit të mirë të sistemit të gazit ku ishte instaluar bombula.

Top Channel