Braçe: Kuvendi s’e shkarkon dot Fullanin

28/08/2014 00:00

Me pretendimin se Kuvendi nuk e shkarkon dot guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës të BSH me ligjin aktual, kryetari i komisionit të ekononomisë Erjon Braçe i ka dhënë përgjigje shqetësimit publik për masat ndaj Ardian Fullanit, pas bërjes publike të superskandalit të vjedhjes së parave në të.

Duke paralajmëruar ndryshimet ligjore për mënyrën sesi shkarkohet guvernatori apo Këshilli Mbikëqyrës, Braçe sqaroi se ligji aktual parashikon vetëm dy raste kur nisin proçedurat e shkarkimit: i pari, kur propozimi vjen nga qeveria dhe i dyti nga vetë Këshilli Mbikëqyrës.

Por edhe në këto raste ligji është i kufizuar për të dy institucionet iniciuese, duke iu dhënë atyre të drejtën vetëm kur guvernatori apo anëtari i këshillit dënohet me burg nga gjykata.

“Pra, Kuvendi është thjesht një organ përmbarues. Ky është një nga problemet më të mëdha që ka ligji. Bota i ka zgjidhur këto raste me dorëheqje, por këtu kultura e dorëheqjes nuk ekziston. Në këtë rast, ne duhet t’i parashikojmë të gjitha në ligj”, deklaroi Braçe.

Procesi i hartimit të ligjit të ri për bankën do të nisë sapo komisioni i ekonomisë të përmbyllë një seri masash që do të ndërmarrë që ditën e parë të fillimit të sesionit të ri parlamentar, si seancat dëgjimore me inspektorin e përgjithshëm të BSH, dëgjesat publike me Këshillin Mbikëqyrës dhe verifikimin e raporteve të tre grupeve të punës për të nxjerrë përgjegjësitë e secilit për situatën në Bankën e Shqipërisë dhe vjedhjen disavjeçare të parave në të.

“Ne nuk mund të pranojmë që Këshilli Mbikëqyrës, që është institucioni drejtues i BSH dhe guvernatori, që është drejtor ekzekutiv, të na dalë siç doli dje dhe të na thotë ‘ne nuk mbajmë përgjegjësi administrative’. Këtë kërkojmë ne, përgjegjësinë administrative. Nëse drejtori nuk mban përgjegjësi, atëherë me ligj duhet të rregullohet ky aspekt, që të gjithë të marrin përgjegjësitë që u takojnë”, theksoi Braçe.

Përveç mënyrës sesi shkarkohet guvernatori apo Këshilli Mbikëqyrës, ligji i ri, deklaroi Braçe, do të rregullojë edhe aspekte të tjera të funksionimit të bankës qëndrore, që nga nepotizmi, klientelizmi, inspektori, auditi, kontrrolli dhe transparenca.

Vjedhja e parave është vetëm maja e ajzbergut e asaj që ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë, ndërsa raportet e inspektorit të përgjithshëm, që i janë mohuar Kuvendit si informacion, për disa vite me radhë, deklaroi kryetari i komisionit të ekonomisë, përmbajnë fakte tronditëse që nga emërimet nepotike të lidhura me opozitën e sotme e deri tek shpenzimet marramendëse të investimeve të vetë bankës, kontratat për të cilat nuk janë bërë asnjëherë publike.

Top Channel