“Punëtor” në fermën e Sting-ut

28/08/2014 00:00

Dëshiron të mbledhësh ullinjtë e Sting-ut në Toskanë? Paguan ti 262 euro në ditë. Përse do ta bëje një gjë të tillë? Përgjigja është e thjeshtë: për arsye terapeutike.

Këngëtari i famshëm i propozon vizitorëve 24 orë të kaluara në fermën e tij Il Palagio në kodrat toskane, por jo thjesht për shëtitje. Kush pranon duhet të përveshë mëngët e të përgatitet për një eksperiencë vërtet unike në një terren prej 350 hektarësh.

Ikona e rokut, që nga turi i fundit botëror ka siguruar plot 358 milionë dollarë, thotë se mbledhja e ullinjve në tokën e tij apo edhe rrushit do të jetë një lloj mësimi që ofrohet për t’u afruar me natyrën dhe punën fizike. Dita e të interesuarve do të nisë me një piknik, për të zbritur më pas në fushën ku i presin koshat bosh që duhet mbushur e në fund mund të shijojnë ndonjë gllënjkë verë, të paguar sigurisht vetë: 12,5 sterlina shishja.

Sting e bleu terrenin në vitin 1999 e që prej atëherë e ka transformuar krejtësisht. Nga një vend i shkretë, ai sot është kthyer në një zonë ku prodhohet verë, vaj ulliri e mjaltë. Nisja e “aktivitetit” shtesë apo pritjes së vizitorëve erdhi në vitin 2013, kur Sting vendosi ta përdorte fermën për të kaluar fundjava të këndshme në shoqërinë e të ftuarve apo edhe për organizimin e eventeve të ndryshme.

Top Channel