Forcimi i arsimit profesional

28/08/2014 00:00

Nëse brenda datës 15 shtator në të 42 shkollat e mesme të arsimit profesional regjistrimet në klasa do të jenë shumë të ulëta, ato do të mbyllen.

Ministri i Mirëqenies Sociale tha se çdo profil i cili nuk është i frekuentuar nga nxënësit nuk do të vijojë. Këtë vit do të ketë edhe transferime të profileve sipas kërkesës së tregut të qytetit.

Cka do të thotë që nëse tregu i Durrësit kërkon peshkatarë, atëherë ky profil do të fuqizohet në këtë qytet: “Aty ku kemi kurse tekstili që janë jashtë mode, do të mbyllen dhe do të rihapen si kurse për “fashion” dhe “design”. Gjykojmë që në një treg fason i cili punëson shumë njerëz ne bëjmë vetëm një hallkë të këtij zinxhiri ekonomik. Ne kësaj hallke duhet t’i japim hallkën e stilimit, dizajnit, logjistikës dhe distribuimit. Gjykoj se është e vetmja mënyrë sesi ne mund të mbajmë më shumë para’ prej këtyre proceseve nëse shtojmë disa prej këtyre kurseve në shkollat tona të formimit profesional.”  

Drejtorët e shkollave të mesme profesionale do të pranojnë një numër të caktuar të rinjsh, duke ruajtur balancat mes vajzave dhe djemve: “Drejtuesit e rinj kanë një target të caktuar kur vjen puna për regjistrimet dhe për balancën gjinore. Nuk do të kemi më shkolla ekskluzive djemsh. Cdo drejtues ka një kuotë që duhet të plotësojë dhe një seri standartesh. Nuk do të ketë më kurse me dy veta.”

Për të rritur nivelin e arsimit profesional në vend, do të hapen shkolla elitare të mesme profesionale, ku të rinjtë që do të pranohen duhet të kenë një mesatare mbi 7.5.

Top Channel