Kapitull i ri i Ballkanit me BE-në

28/08/2014 00:00

Vendet e Ballkanit hapën një kapitull të ri të marrëdhënieve me Bashkimin Europian në Konferencën e Berlinit. Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhanë mbështetjen pa rezerva për të ardhmen e rajonit në BE.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, i cili përfaqësoi të gjitha vendet e Ballkanit në konferencën për shtyp perkrah Merkel dhe Barrosos, konfirmoi gatishmërinë e rajonit për të punuar me Brukselin dhe për t’iu bashkuar Unionit Europian.

“Ne dëshirojmë që procesi i integrimit të ecë më shpejtë, në mënyrë që këto vende të integrohen. Sllovenia dhe Kroacia janë anëtarësuar, vende të tjera kanë marrë statusin. Ne jemi të gatshëm ta avancojmë këtë proces, por gjithçka është në dorën e këtyre vendeve”, deklaroi Merkel.

“Jemi të vetëdijshëm se ka dyshime, zhgënjime dhe zemëratë brenda BE-së. Gjithashtu ka edhe një frymë anti-evropiane që është më e fortë në disa pjesë të Evropës. Por megjithatë ne e shohim BE-në, duke qenë jashtë, jo vetëm si sukses, por edhe si frymëzim, si shpresë për një të ardhme më të mirë. Edhe duke marrë hapat që duheshin që ne të konsideroheshim kandidatë të BE-së, na u desh të bënim progres për popullin tonë, për të treguar fuqinë e Evropës dhe BE-së si një ide e madhe transformuese. Anembanë botës shohim konflikte që lindin, kur njerëz me pikëpamje, vlera e fe të ndryshme rrokin shpatat dhe u kthehen plumbave. Ndaj është më mirë të jemi të bashkuar sesa të kemi ndasi”, tha Rama nga ana e tij.

“Anëtarësimi i mëtejshëm varet nga shpejtësia e reformave të këtyre vendeve dhe gjatë kësaj kohe ne nuk duhet të ketë asnjë dyshim për një gjë të tillë. Unë isha në Shqipëri dhe pash se sa të rëndësishme janë aspiratat evropiane për ata qytetarë. Unë mendoj se një proces i administruar me kujdes, i ngritur mbi baza të forta e të qarta anëtarësimi, me dialog të hapur dhe mbështetje është ai proces që duhet të sigurojë që partnerët e miqtë tanë do bëjnë çka është e nevojshme për të arritur anëtarësimin. Procesi i integrimit është i prekshëm dhe real, siç tregoi anëtarësimi i Kroacisë, por edhe i progresi i Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në fakt, KE mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së. Forcimi i ligjit, i shtetit të së drejtës dhe situatës ekonomike janë thelbësore në këtë drejtim”, tha nga ana tjetër Barroso.

Në përfundim të konferencës u dol me një deklaratë të përbashkët me 18 pika të firmosur nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidendit të KE-së Barroso, ku përcaktohet se kjo nismë, e ndërmarrë këtë vit nga Gjermania do të vijojë dhe për 4 vite të tjera, në mënyrë që të arrihet progres nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përmirësimi i mëtejshëm i qeverisjes mbetet një sfidë e veçantë për demokracitë e reja të rajonit. Shtetet pjesëmarrëse ranë dakord që duhet të merren masa të mëtejshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Po ashtu në deklaratë thuhet se, vendet e Ballkanit përsëritën gatishmërinë e tyre për të kryer reforma të mëtejshme që synojnë rritjen e sigurisë ligjore në vendet e tyre, për të mbështetur dhe përforcuar pavarësinë e gjyqësorit.

Një theks i rëndësishëm i vihet edhe bashkëpunimit rajonal, ku si shembull është marrë vijimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik ishte një tjetër pikë kryesore, ku shtetet pjesëmarrëse vendosën piketat për bashkëpunim, ku mundësia e vetme për të të arritur këtë gjë janë tregjet e hapura dhe investimet e huaja.

Të pyetur nga Top Channel se sa ndikim do të ketë në marrëdhëniet dypalëshe lajmi për përgjimet e shërbimeve sekrete gjermane në Shqipëri, kryeministri Rama dhe kancelarja Merkel u përgjigjën njëzëri.

“Sa i përket çështjes së përgjimeve, nënvizoj se këtu nuk ka vend për asnjë spekulim. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe ndajmë me Gjermaninë përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Prandaj kur bëhet fjalë për sigurinë nuk ka asnjë paragjykim”, tha Rama.

“Unë u bashkohem fjalëve të kryeministrit sa i përket rastit të shërbimit sekret. Unë nuk do të ndalem në hollësi”, u përgjigj nga ana tjetër zonja Merkel.

Top Channel