Transportet paralajmërojnë grevë

28/08/2014 00:00

Sindikata e Pavarur e Transporteve paralajmëron bllokimin e tunelit në rrugen Tiranë- Elbasan në shenjë proteste për konkurencën e pandershme të shoqerive të transporteve nga Bashkia e Tiranës, që sipas tyre ka licensuar një kompani të tretë që ndjek rrugën më të shkurtër.

“Tuneli do të jetë i bllokuar shumë shpejt nëse Ministri i Transporteve nuk merr masa për pezullimin e kësaj licence të dhënë padrejtësisht. Me forma korruptive është dhënë licencë e dytë në këtë drejtim”, thotë Zija Hasani, kryetar i Sindikatës së Transporteve.

Përfaqësues të shoqërive të transportit të licensuara për  linjën Tiranë-Elbasan protestuan pak ditë më parë pasi  sipas tyre nuk janë njoftuar për të marrë pjesë në tenderin e bërë nga Bashkia e Tiranës për  linjën Tiranë-Elbasan në gjurmën e re të Tunelit.

Por Bashkia e Tiranës sqaroi se kompanitë e licensuara për të ndjekur rrugën nga Qafa e Krrabës do  të vijojnë sipas licencës, ndërsa kompania fituese në tender do të ndjekë gjurmën nga Tuneli.

Top Channel