Trupa ruse në Ukrainë

28/08/2014 00:00

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko anuloi një vizitë zyrtare të parashikuar për në Turqi duke cituar pretekstin e hyrjes së trupave ruse në lindje të vendit.

“Mora vendimin për të anuluar vizitën time në Republikën e Turqisë për shkak të përshkallëzimet të situatës në rajonin e Donetskut, ku janë vërejtur trupa ruse”, thuhet në deklaratën e Poroshenkos.

Njoftimi për anulimin e vizitës mbërriti në kohën kur forcat rebele morën qytetin bregdetar të Novoazovskut në jug-lindje të vendit duke nisur një front të ri në konfliktin që zgjat prej disa muajsh. Kryebashkiaku i qytetit port në Detin Azov deklaroi se rebelët kanë hyrë në disa pjesë të qytetit ku janë përshëndetur nga pjesa e banorëve rusisht-folës të tij.

Suksesi i separatistëve në pjesët jugore, të paprekura më parë nga konflikti është shndërruar në një kërcënim real edhe për qytetin tjetër bregdetar, Mariupolin, vlerësuar si pikë strategjike për rajonet e Ukrainës Lindore.

Separatistët prej muajsh janë përpjekur që të çajnë rrethimin e ushtrisë në veri, në afërsi të Donetskut por pa sukses. Nisur nga situata e krijuar gjatë të enjtes është paralajmëruar një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gjenerali i NATO-s, Niko Tak tha për BBC se javët e fundit është vënë re një shtim i armëve të sofistikuara ruse në duart e separatistëve. Aleanca ka publikuar edhe imazhe satelitore që faktojnë këtë gjë. Trupat ruse janë në krah të rebelëve që luftojnë ndaj trupave qeveritare ukrainase.

“NATO ka vënë re sasi të mëdha armësh të sofistikuara, përfshirë këtu sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri të rëndë, tanke dhe automjete të tjera të blinduara ushtarake. Rusia po përforcon dhe furnizon forcat separatiste në një moment të pashembullt për të ndryshuar balancat në luftime, që për momentin favorizojnë ushtrinë ukrainase”, tha Tak.

Mbi 2100 persona kanë humbur jetën në konfliktin disa-mujorë që ka përfshirë rajonet lindore të Ukrainës, një pjesë e mirë e të cilëve civilë. NATO beson se janë më shumë se 1 mijë numri i ushtarëve rusë që u janë bashkuar forcave rebele në këto pjesë të Ukrainës.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka reaguar ndaj veprimeve të Moskës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se përshkallëzimi i situatës kërkon sanksione të reja ndaj Moskës.

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama akuzoi edhe një herë Rusinë si përgjegjëse kryesore për nisjen e konfliktit. Ai tha se lufta nuk ishte rezultat i kryengritjeve të popullsisë vendase, por i ndikimit të drejtpërdrejtë të Rusisë në të.

Edhe kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës të BE-së, në një bisedë telefonike me Presidentin Vladimir Putin ka theksuar se është i papranueshëm përshkallëzimi i situatës.

Top Channel