Britani, rritje e ndjeshme e emigracionit

28/08/2014 00:00

Në Mbretërinë e Bashkuar është regjistruar një rritje “e ndjeshme statistikore” e fluksit të emigrantëve në një periudhë 1-vjeçare, deri në muajin mars të këtij viti.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, niveli i të ardhurve është rritur nga 175 mijë në 243 mijë, dy të tretat e të cilëve nga vende anëtare të BE-së, kryesisht nga Rumania dhe Bullgaria.

Gjithashtu ka pasur një rritje të personave që emigrojnë për punë në 228 mijë, ndërsa 177 mijë kanë vajtur në Britani për studime. Numër në rritje ka qenë edhe ai i personave që bëjnë bashkime familjare.

Ndërkohë, për herë të parë në thuajse tre vjet, numri i personave që emigrojnë në Mbretërinë e Bashkuar nga vendet jashtë BE-së u rrit në 265 mijë. Ndërsa kuota e emigracionit afatgjatë ka qenë “relativisht e qëndrueshme”, saktësoi Zyra Kombëtare e Statistikave.

Fluksi më i madh i të ardhurve ka qenë nga Rumania dhe Bullgaria, që u rrit nga 12 mijë në 28 mijë përgjatë periudhës 12-mujore. Kjo, pasi kufizimet për punësim ndaj qytetarëve të këtyre dy vendeve u hoqën në janar.

Ministri për Sigurinë dhe Emigracionin, James Brokenshire deklaroi se goditja e këtij fenomeni do të jetë më e vështirë për shkak të rritjes së emigracionit nga vendet brenda BE-së.

Ndërsa ministrat e tjerë të ekzekutivit britanik deklaruan se do të punojnë për ta mbajtur emigracionin në nivele të qëndrueshme, por theksuan se nuk kanë kompetenca për të ndaluar lëvizjen e lirë të punëtorëve evropianë.

Top Channel