Durrës, protesta për shatërvanin

28/08/2014 00:00

Bashkia e Durresit ka nisur punën për rikonstruksionin e sheshit qendror. Ky projekt ka shkaktuar shumë debate për shkak se parashikon heqjen e shatërvanit 86-vjeçar në qendër të tij.

Shatërvani ka qenë një simbol për qytetin, pikë referimi dhe një nga objektet e vjetra në këtë qytet. I ndërtuar në vitet 30, shatërvani do të shkatërrohej.

Por pas protestave dhe thirrjeve për të ruajtur këtë objekt po mendohet zhvendosja e tij në një tjetër shesh. Ndërkohë që në qendër të qytetit janë zhvilluar edhe protesta.

“Tani, në prag të fushatës po bëhet një lëvizje taktike në dëm të qytetarit, për të fituar prapë. Por këtë herë ai ta harrojë sepse kjo është kundër kulturës durrsake”, tha një banor.

“Ky po shkatërron kulturën e Durrësit dhe çdo gjë. Është mirë të kthehet në Shkozet, ku është rritur dhe t’ua lërë Durrësin durrsakëve”, tha një tjetër.

Në Bashkinë e Durrësit bëjnë të ditur se shatërvani nuk do të shkatërrohet, por do të zhvendoset në një zonë tjetër të qytetit, ende të papërcaktuar, për t’i hapur vend zbatimit të projektit fitues të studios italiane për rigjallërimin e sheshit “Liria”.

Këtë javë nisën punimet për zbatimin e fazës së dytë të projektit “Folding”, të hartuar nga një studio italiane. Për zbatimin e kësaj faze, që pritet të mbarojë brenda 6 muajve të ardhshëm, janë akorduar 130 milionë lekë nga buxheti i shtetit.

Top Channel