ISIS ekzekuton ushtarët sirianë

28/08/2014 00:00

Pavarësisht zhvendosjes së vëmendjes në Irak, ISIS vazhdon aktivitetin e tij terrorizues në Siri. Së fundmi janë publikuar pamjet filmike që mediat ndërkombëtare e kanë pagëzuar si “Marshi i vdekjes”.

Në pamje duket rreth 250 meshkuj të zhveshur që besohet se janë ushtarë të bazës ajrore ushtarake Tabqa pranë qytetit Raqa, i konsideruar fortesë e ekstremistëve islamikë.

Baza ra në duart e militantëve pas muajsh të tërë luftimesh. Në qarkullim është edhe një video që tregon ekzekutimin e 250 ushtarëve sirianë dhe është pak të thuash të tmerrshme.

Pas këtyre publikimeve ekspertët ndërkombëtarë ushtarakë druhen se ISIS tashmë zotëron armë të sofistikuara, përfshirë këtu avionë pa pilotë që besohet se janë përdorur në thyerjen e barrierave mbrojtëse të bazës Tabqa.

Autoritetet siriane konfirmuan lajmin e rënies së bazës së tyre. Fillimisht ato thanë se ushtarët ishin riorganizuar për të përballuar sulmin e radhës së ISIS, por këtë herë rezistenca nuk ishte e mjaftueshme dhe baza ra.

Top Channel