Obama: Rusia përgjegjëse për Ukrainën

29/08/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka akuzuar Rusinë se është përgjegjëse për dhunën në lindje të Ukrainës.

Ai tha se luftimet në këtë zonë nuk janë pasojë e një kryengritjeje të brendshme, por e përfshirjes së thellë të Rusisë dhe këtë sipas tij e provojnë pamjet satelitore.

Në një konferencë për shtyp në Uashington, zoti Obama fajësoi Moskën për përshkallëzimin e situatës, por u tregua i rezervuar në lidhje me pushtimin e trupave ruse të Ukrainës.

“Nuk ka më asnjë dyshim se kjo nuk është më një kryengritje e brendshme. Separatistët janë të stërvitur nga Rusia, të armatosur nga Rusia dhe të financuar nga Rusia. Rusia vazhdimisht ka shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe fotot e reja të trupave ruse brenda vendit i mundësojnë botës që të shohë situatën”, deklaroi Obama.

Megjithatë, sërish shefi i Shtëpisë së Bardhë përjashtoi opsionin e një përgjigjeje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se Rusia do të paguajë më shumë kosto dhe pasoja për veprimet e saj në Ukrainë.

Presidenti amerikan pritet ta diskutojë krizën në fjalë bashkë me liderët evropianë në samitin e NATO-s që mbahet javën e ardhshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Ditën e enjte presidenti ukrainas Petro Poroshenko mbajti një takim të këshillit të sigurisë, prej nga tha se trupat ruse kanë hyrë në Ukrainë, por dhe u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë.

Ndërsa NATO publikoi disa pamje satelitore që sipas saj tregojnë kolonat e autoblindave ruse në territorin ukrainas.

Rusia: Akuzat e NATO-s, qesharake

Për Moskën nuk ka kuptim të komentohen seriozisht fotot satelitore të publikuara nga NATO si provë e pranisë së trupave ruse në lindje të Ukrainës.

“Tashmë kjo praktikë është bërë qesharake. Nëse më parë ndonjë zyrtar i NATO-s vendoste emrin në këto foto, tani të gjithë hezitojnë”, deklaroi gjenerali Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin gjatë natës u ka kërkuar separatistëve që të hapin një korridor humanitar për trupat ukrainase që kanë mbetur të rrethuara pas marrjes së Novoazovskut, qytet strategjik në lindje të Ukrainës, në duart e rebelëve.

“U bëj apel forcave rebele që të hapin një kordon humanitar për trupat ukrainase që janë rrethuar, me qëllim shmangien e viktimave dhe për t’u mundësuar tërheqjen nga zona e operacioneve”, deklaroi Putin duke iu drejtuar rebelëve të Novorossija (Rusia e Re).

“Ushtarët ukrainas u rrethuan pas suksesit të konsiderueshëm (të separatistëve) ndaj operacionit ushtarak të ndërmarrë nga Kievi”, vazhdoi presidenti rus.

Ai i ka kërkuar qeverisë ukrainase që t’i japë fund luftimeve, të vendosë një armëpushim dhe të negociojnë me përfaqësuesit e banorëve në lokalitetin e Donbasit.

Gjithashtu, shefi i Kremlinit u ka kërkuar separatistëve t’u ofrojnë ndihmë mjekësore ushtarëve të plagosur, duke shtuar se Moska është gati t’i japë ndihma humanitare banorëve të Donbasit. 

Top Channel