Një krisje në një prej xhamave të dritareve të avionit presidencial të Greqise ka detyruar pilotët të kërkojnë ulje të detyruar në aeroportin e Selanikut.

Në avion ndodhej zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizellos, i cili kishte marrë pjesë në betimin e presidentit turk Recep Tayip Erdogan dhe po shkonte në Milano, në samitin e ministrave të Jashtëm të BE.

Krisja në xham është shfaqur ndërsa avioni fluturonte mbi Thaso, në Greqinë veri-lindore, ndaj është kërkuar ulje urgjente në aeroportin Makedonia të Selanikut, ku edhe ka filluar tashmë riparimi i tij.

Ndërkohë, numri dy i qeverisë greke është nisur për në Milano me një avion tjetër, për të arritur në kohë në punimet e mbledhjes me homologët e vendeve të BE-së, që do t’i paraprijë samitit të lartë të Brukselit ditën e shtunë, kur 28 vendet anëtare do të miratojnë sanksione të reja për Rusinë.

Plot 15 vjet më parë, në hapësirën ajrore të Rumanisë, zv/ministri i Jashtëm grek Janos Kranidhiotis dhe 6 persona të tjerë që ndodheshin në avionin presidencial të Greqisë, “Mystere Falcon 900B”, gjetën vdekjen pasi, për shkaqe që nuk janë zbuluar edhe sot, mjeti fluturues u rrëzua nga një lartësi prej 35 mijë në 8 mijë këmbë, por pas 24 sekondash pilotët mundën të rifitonin kontrollin e tij dhe të kryenin një ulje të detyruar, duke shpëtuar pjesën tjetër të pasagjerëve.

Avioni aktual presidencial i Greqisë, i tipit “Embraer” me 13 vende, është blerë në vitin 2002 dhe ka kushtuar 27.5 milionë dollarë. Ai përdoret kryesisht nga kryeministri Samaras, presidenti Papulias, ministri i Mbrojtjes dhe në raste të veçanta edhe nga zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i vendit.

Top Channel