Hetimet për atentatin me eksploziv

29/08/2014 00:00

Hakmarrja është pista më e mundshme e ekzekutimit të një dite më parë të 42-vjeçarit Isuf Brahimaj në qytetin e Vlorës. Policia dhe prokurorët kanë gjetur se viktima ka përdorur edhe dy mbiemra të tjerë.

Përveç Brahimaj ai është quajtur edhe Isuf Bajramaj dhe Isuf Kokaj. Me mbiemrin e fundit ai ka kryer edhe një dënim me burgim për trafik droge. Ai u akuzua se kishte bashkëpunuar në transportimin e një sasie prej 23 kilogramë kokainë në Belgjikë.

Pasi ishte kthyer në Shqipëri, ai kishte nisur biznesin e ndërtimit, ndërsa po investonte edhe në ngritjen e një hoteli në Jonufër, që do të inaugurohej këto ditë. Por policia dyshon se Bramihaj ka patur ndonjë konflikt me personat me të cilët ka bashkëpunuar në emigracion.

Viktima, por edhe vëllai i tij Ermal ose Bashkim Brahimaj kanë qenë në shënjestër të disa atentateve me bombë. Nga dosjet hetimore del se Julian Sinanaj konsiderohet si njeriu që ishte angazhuar nga porositësit për ta eleminuar shënjestrën, por që për të cilët ai deklaron se nuk i njeh.

Vëllait të viktimës i kanë bërë atentat me bombë vendosur në automjetin e tij më 31 gusht të vitit 2013, pak metra larg vendit ku të enjten u vra vëllai i tij. Atentati i dytë ndodhi më 24 tetor të vitit të kaluar me një bombë të vendosur në një motor tip “Piaggio”.

Në të dyja atentatet i vëllai i viktimës ka shpëtuar pa plagë të rënda, por nuk pati të njëjtin fat Isuf Brahimaj. Ai ishte duke udhëtuar me automjetin e tij mëngjesin e djeshëm, në shoqërinë e një vajze 19-vjeçare.

Automjeti shpërtheu në ecje duke vrarë në vend 42-vjeçarin dhe duke plagosur shumë rëndë vajzën, e cila ndodhet në repartin e traumës në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Policia dhe prokurorët e Krimeve të Rënda kanë sekuestruar të gjitha pamjet filmike në vendin e ngjarjes, kanë marrë gjurmët dhe shenjat dhe kanë nisur marrjen në pyetje të personave që mund të kenë djeni.

Pritet që për ngjarjen të pyetet edhe Julian Sinanaj, personi i arrestuar si vrasës me pagesë që përdorte eksplozivin C4 në atentatet e tij.

Top Channel