Operacioni anti-kanabis “Dukagjini”

29/08/2014 00:00

Pas një udhëtimi rreth dy orë me makinë nga Shkodra, automjetet e policisë ndalen në vendin e quajtur Karma e Kirit për të zbritur e për t’u ngjitur disa herë në rrëpira dhe humnera.

Temperaturat e larta, terreni i vështirë pa rrugë e bëjnë këtë rrugëtim një sakrificë më vete për forcat e policisë, të nisura nga Shkodra për të gjetur kanabisin e mbjellë.

Gjetja e ndonjë përroi për të pirë ujë duket shpëtim në këto anë pas ecjeve me orë të tëra. Gjatë gjithë rrugës, forcat e RENEA-s dhe FNSH-së tregohen të kujdesshme në lëvizje, pasi nga kjo zonë pak ditë më parë u qëllua helikopteri i policisë.

Vetëm tre persona janë kapur ndërsa grupi prej shtatë të tjerësh është ende i lirë e i armatosur. Policia dyshon se ata janë strehuar në këtë zonë të pyllëzuar.

Pas një ecjeje prej katër orësh identifikohen dhe parcelat me kanbis, ndërkohë që shumë pranë tyre dyshohet të ketë dhe njerëz.

Grupi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA organizojnë një blic në një stan të braktisur. Nga kontrolli rezultoi se zona është e pastër dhe se në stan ka vetëm disa mbetje të plehut që është përdorur për mbjelljen e kanabisit.

Policët numërojnë bimët e gjetura dhe nisin asgjesimin e të katër percelave me 1.350 rrënjë kanabis, ndërsa një grup i forcave të RENEA-s pozicionohet në disa pika të larta me snajper për të siguruar policët në terren.

Në operacione të ngjashme prej 8 ditësh policët kanë gjetur e shkatërruar 177 mijë rrënjë kanabis, ndërsa prej qershorit e deri më sot janë gjetur 190 mijë rrënjë.

“Operacioni po vijon në mënyrë intensive për kontrollin e të gjitha zonave të kultivuara me bimë narkotike në Dukagjin, konkretisht në fshatin Bruçaj, në zonat e thella të tij”, thotë Tefik Sulejmani, zëdhënës i Policisë së Shtetit.

Pas kryerjes me sukses të këtij operacioni, policët nisin sërish rrugën e gjatë të kthimit në komisariat, për t’u rinisur mëngjesin e ditës që vjen në të njëjtat shtigje të mundshme.

Në ditët e para transporti bëhej me helikopterë, por pas incidentit që la të bllokuar në një fushë me misër thellë në male një helikopter të policisë, e vetmja rrugë komunikimi është nga toka.

Top Channel