Ligji i ri anti-duhan duket se këtë radhë do të zbatohet. Kur ka vetëm një javë që ky ligj ka hyrë në fuqi, të gjitha subjektet private dhe ato publike janë duke respektuar ligjin, duke mos lejuar që në ambientet e brendshme të tyre të konsumohet duhan.

Kreu i Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror, Eltar Deda dhe një grup punonjësish nga ky institucion janë ndalur në qytetin e Vlorës për të ndjekur zbatueshmërinë e ligjit, si dhe duke informuar qyetarët dhe pornarët e lokaleve që ata frekuentojnë me ndryshimet e ligjit.

“Jo vetëm këtu në Vlorë, apo në Tiranë e Elbasan, por kudo vërejmë se gjithçka ka vijuar mbarë. Prej një jave sensibiliteti tek biznesi dhe trupat inspektuese ka qenë shumë i madh. Institucionet private e publike kanë qenë në nivel të lartë. Kjo na bën të jemi më të vendosur në zbatimin e ligjit”, deklaroi Deda.

Nga Vlora, Deda theksoi se ky ligj do të zbatohet me çdo kusht në të gjithë territorin e Shqipërisë, edhe pse qëllimi i inspektoriatit nuk është të ndëshkojë bizneset. Deda kërkon bashkëpunim të qytetarëve dhe pronarëve të subjekteve për ta zbatuar ligjin, që sipas tij ndikon pozitivisht në shëndetin e popullatës.

“Ne do vijojmë promocionin, do të vendosim edhe gjoba, por siguroj se puna ka filluar, do vazhdojë dhe nuk do të ketë tërheqje mbrapa. Ligji do zbatohet me rreptësi, por në bashkëpunim me subjektet dhe qytetarët. Ne jemi për të ndihmuar bizneset, jo për ndëshkimin e tyre”, u shpreh Deda.

Prej mëse një jave, kur dhe hyri në fuqi ligji anti-duhan, grupe inspektorësh janë duke monitoruar zbatueshmërinë e tij, si dhe duke u bërë me dije subjekteve private se në rast se do të kapen në shkelje të ligjit, atëherë askush nuk do të mund t’i shpëtojë gjobës, që për subjektin është 300 mijë lekë, për administratorin 50 mijë lekë dhe për qytetarin që kapet duke konsumuar duhan në ambient të mbyllur 5 mijë lekë.

Top Channel