Përkrahës të partisë neonazistë, Agimi i Artë, me flamuj grekë në duar dhe duke hedhur parulla ekstremiste kanë pritur me brohorima mbërritjen e numrit dy dhe zëdhënësit të kësaj force politike, Ilias Kasidhiaris, që aktualisht ndodhet në paraburgim, për t’u betuar në Këshillin Bashkiak të Athinës.

Me një buzëqeshje sfidante, pasi ka marrë një leje disa orëshe nga policia, ai ka mori pjesë në betim së bashku me vajzën e liderit të partisë së ekstremit të djathtë, Nikos Mihaloliakos, që ndodhet edhe ai në burg me akuzat për krijim dhe pjesëmarrje në një organizate kriminale.

AA ka siguruar 16.1% të votave në zgjedhjet e majit të kaluar në Bashkinë e Athinës dhe 7.5% në rang vendi, shifra që kanë dhënë alarmin në gjithë Greqinë për rritjen e mbështetjes së neonazistëve, pavarësisht se kanë gjysmën e deputetëve të tyre të arrestuar ose nën hetim.

“Nëse dikush e ka problem se Agimi i Artë ka këshilltarë në bashki dhe në prefektura atëherë është problemi i tij, ne nuk kemi probleme me askënd”, u shpreh Ilias Panagiotaros, deputet i Agimit të Artë.

Formacioni fitues i kryebashkiakut, Jorgos Kaminis dhe formacionet e tjera të majtë kanë bërë betim politik.

“Unë do të luftoj për një qytet me demokraci të plotë, lirie, solidariteti dhe pa neonazistë dhe racizëm”, tha Petros Constantinou, këshilltar dhe aktivist antifashist.

Ndërsa grupet e tjera janë betuar në mënyrën fetare tradicionale.

Para ceremonisë që është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, në një zonë tjetër të Athinës, grupe dhe organizata antifashiste kanë protestuar për pjesëmarrjen e neonazistëve në këshillin bashkiak dhe u kanë kërkuar bashkëqytetarëve të tyre të dënojnë ideologjinë, dhunën dhe veprimet e mbështetësve të kësaj partie.

Situata të tensionuara ka pasur edhe në disa ceremoni të tjera të betimit të këshillave bashkiakë apo në rang prefekture si ajo e zhvilluar në Bashkinë e Selanikut, pasi antifashistë dhe neonazistë të ndodhur në të njëjtën sallë, kanë hedhur parulla dhe nuk lejonin zhvillimin e qetë të procedurës.

Nga ana tjetër kryebashkiaku, Janis Boutaris, i njohur për pozicionimin e tij ndaj ekstremistëve të djathtë është betuar, duke ngjitur në xhaketën e tij yllin e Davidit, si për t’u kujtuar gjithë bashkëqytetarëve të tij holokaustin e më shumë se 50.000 hebrenjve të Selanikut nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore.

Top Channel