Putin: Ukrainasit si nazistët

30/08/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur të mbrohet, duke i krahasuar ukrainasit me nazistët.

“Ushtria e Kievit po luan rolin e të keqit duke vënë në shënjestër qytete dhe zonat e tyre të banuara, njësoj siç bënë gjermanët në ish-Bashkimin Sovietik”, ka thënë Putin.

Duke theksuar se rusët dhe ukrainasit praktikisht janë një popull i vetëm, presidenti rus ka shtuar se ofensiva e ushtrisë ukrainase në qytetet Donetsk dhe Luhansk, bastione pro-ruse në lindje të Ukrainës, të kujton pushtimin e Leningradit nga ushtria naziste në vitet 1941-44.

“Më kujtojnë për fat të keq Luftën e Dytë Botërore, kur pushtuesit nazistë kishin zaptuar qytetet tona”, është shprehur shefi i Kremlinit.

Në lindje të vendit për momentin sulmet kanë ndaluar. Të premten qyteti Novoazovsk, jo shumë larg nga Mariupoli, ka qenë skenë e luftimeve, por tani dy formacionet po analizojnë situatën dhe po mundohen të riorganizojnë lëvizjet që deri pak ditë më parë dukeshin aq të qarta, kur Kievi deklaronte se e kishte fitoren në dorë.

Por tani, me mbërritjen e rusëve në ndihmë të rebelëve, situata është lëkundur sërish. Bëhet fjalë për rusë që kanë qenë gjithmonë të pranishëm në territorin ukrainas, të përzjerë mes batalioneve pro-ruse, por që tani kanë dalë hapur. Por jo për Moskën.

Qeveria ruse, që ka deklaruar se nuk dëshiron të hyjë në luftë, i kërkon Evropës dhe NATO-s që të nxisë qeverinë ukrainase të hapë negociata serioze, qëllimi i të cilave të jetë legjitimimi i së vetëshpallurës Republika Popullore e Donetskut, që do të kishte të njëjtin fat me atë të Krimesë.

Për më tepër, Moska, sipas deklaratave publike, po përpiqet të arrijë një pakt me militantët në lindje që të hapin një korridor për hyrjen e ndihmave humanitare, por separatistët thonë se do ta bëjnë këtë vetëm kur të dorëzohet pala ukrainase.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Petro Poroshenko pret që NATO t’i vijë në ndihmë, jo në rrugë ushtarake, por me asistencë dhe shërbime inteligjente.

Top Channel