Kosovë, xhihadistët blenë vizat italiane

30/08/2014 00:00

Skandali i shitjes së vizave në ambasadën italiane në Prishtinë, ku ishte i përfshirë dhe djali i ish-presidentit Rugova, Ukë Rugova, ka marrë të tjera përmasa përtej Adriatikut, duke vënë në alarm forcat e policisë.

Mediat italiane raportojnë se mes personave që kanë blerë viza të rregullta kundrejt shumës prej 3.500 euro ishin edhe tre xhihadistë. “Ishin tre xhihadistë dhe kishin hyrë në Itali me viza të rregullta.

Duket e pabesueshme por është kështu. Tashmë ka nisur një kërkim për të gjetur këta persona të rrezikshëm me origjinë nga Kosova, të cilët mund të jenë ende në Itali.

Njëri mësohet se ka mbetur i vrarë gjatë një shpërthimi në Irak, ndërsa për dy të tjerët nuk ka asnjë shenjë”, shkruajnë mediat italiane.

E gjithë kjo histori ka nisur nga një hetim i EULEX-it në Kosovë dhe më pas i zgjeruar dhe nga Prokuroria e Romës, ku siç raportojnë mediat italiane, ka qenë një hetim tërësisht i fshehtë që sheh të përfshirë disa zyrtarë.

Këtu përfshihet edhe ish-ambasadori i Italisë në Prishtinë, i cili deri më tani nuk rezulton nën hetim, por që menjëherë pas skandalit të publikuar u largua nga detyra.

Ndërkaq, autoritetet policore italiane janë duke vijuar kërkimet për gjetjen e gjurmëve të mundshme të dy xhihadistëve nga Kosova, fati i të cilëve ende nuk dihet.

Top Channel