Nderi i humbur i kanabisit

30/08/2014 00:00

Nga Ndue Dedaj – Cannabis Sativa nuk ka një emër në shqip, por kjo nuk e ka penguar të bëhet bima më popullore në Shqipëri, sa pa frikë mund të shpallet kampione e dhjetëvjeçarit ndër bimët e kultivuara, në vendin ku nuk mbillet më grurë, misër, fasule, tërshërë e foragjere.

Dihej që bima e drogës kishte një “Pol të Jugut” me Lazaratin, tani u pa që paskësh pasur dhe një “Pol të Veriut” me Dukagjinin. Kultivuesit janë njerëz të thjeshtë, të cilët kurrë nuk e kishin menduar se do të vinte dita që “Legjenda e Misrit” do të zëvendësohej me atë të kanabisit! Për herë të parë ata kishin kultivuar një bimë që nuk do t’ia shijonin vetë frutat, pasi në male nuk ka përdorues droge.

Tjetërkund janë ata. Por nuk duam të bëjmë letërsi në këtë shkrim. E gjithë vëmendja këto ditë është përqendruar te banorët e asaj malësie të dëgjuar, që këtë vit nuk arritën ta korrnin vetë bereqetin e tyre të ri. Natyrisht që nuk janë ata “baronët” e drogës, aq më pak kryepleqtë mbi duart e të cilëve shpesh kanë rënë prangat se nuk kishin sinjalizuar për bimën e mallkuar.

Sidoqoftë, këtë verë, kanabisin e korri kosa e Policisë së Shtetit dhe mirë bëri, që të ndahemi më në fund nga kjo zeje që nuk është për hambarët tanë. Tjetër prodhim duhet të hyjë aty dhe njerëzit presin që pas aksionit të policisë në Lazarat dhe Dukagjin ministrat e kësaj qeverie të venë e të ulen gju më gju me banorët, t’i dëgjojnë e të vendosin se me se do të merren tash e mbrapa ata njerëz.

Me një punë do të rrojnë, ndaj t’u krijohet një e ligjshme. Mund të thuhet turizmi është shpëtimi dhe nuk është pa bazë, por në kushtet e sotme është një fjalë gojë. Lypen shumë gjëra të tjera para se të mbërrihet atje. Më e para nuk ka një rrugë normale, të shtruar me asfalt, çka ka krijuar izolimin më të madh.

Do të ishte lajm i mirë nëse ministri që merret me rrugët dhe infrastrukturën do të dilte në media dhe të na thoshte se mbledhja e fundit e qeverisë miratoi këtë projekt punësimi për Lazaratin dhe këtë projekt rrugor për Dukagjinin. Po ashtu nëse ministri i Bujqësisë do të lajmëronte se për rajone të tilla tash e mbrapa do të zbatohet një politikë e diferencuar kreditimi të blegtorisë etj.

Kryetari i Komunës së Shalës, në një prononcim për shtypin, është shprehur se ka tre vjet që ai kërkon që atje të ngrihet një stacion policor, pasi ka pasur krime, që nga djegia e komunës, minimi i rrugëve dhe urave, vrasje për gjakmarrje, aksidente etj., ku nëse do të kishte qenë prania e policisë, nuk do të kishin ndodhur.

Kërkesë më të natyrshme nuk mund të ketë, ndaj do të ishte një tjetër lajm i mirë nëse ministri i Brendshëm do të na bënte me dije se Dukagjini do të ketë stacionin e vet policor. Atje në verë, por dhe në stinët e tjera, ka dhe të huaj dhe siguria kërkohet të jetë e vazhdueshme.

E vërteta është se në dy dhjetëvjeçarët e fundit disa rajone malore janë kthyer në origjinën e tyre ekzotike, por kjo është e palejueshme për qytetërimin e sotëm. Çfarë do të thoshin ndryshe nga dikur për këto vende të epërme Edith Durhami, At Domeniko Pasi, apo Bernardin Palaj sikur të mund t’i vizitonin sot? Shumë gjëra janë kthyer atje ku kanë qenë para një shekulli, përfshi dhe gjamët, me të vetmen të “re”, kanabisin.

Nuk do të na e falte këtë as Martin Camaj, poeti i pëllumbave dhe fjollës së Bjeshkëve të Namuna, i cili qe larguar në arrati politike për ta parë malin e tij më të mirë e më të lirë dhe jo të braktisur e “droguar”. Çfarë, pra, mund të bëjë qeveria, komuna, komuniteti, shoqëria civile, biznesi, emigrantët, projektet ndërkufitare për t’ia kthyer nderin e humbur bjeshkës e Vërrinit?

Një si erë e mbarë ka nisur të fryjë nga pak në Alpet shqiptare, ku ka dy-tre vite që këto vende (Rugovë – Plavë – Theth) i përshkojnë këmbësorët rinorë të projektit “Majat e Ballkanit” duke tërhequr vëmendjen drejt tyre, ashtu siç po e bëjnë traditë të takohen nën siglën e “Muzës së Alpeve” shkrimtarët e rajonit: Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Në Plavë është zhvilluar dhe ndonjë konferencë shkencore mbi historinë e shqiptarëve, siç ka pasur edhe dokumentarë televizivë sensibilizues. Por prapë janë rrugët që pengojnë jetësimin e këtyre malësive vigane. Me helikopter nuk është se i kemi kushtet të fluturojmë aty ku duam. Kelmendin e mahnitshëm për nga bukuria, natyra dhe ekologjia e kemi po aq të braktisur sa Dukagjinin.

Vermoshi nuk është më një pikë topografike krenarie dhe e së sotmes dhe jo për fajin e tij. (“Nga Vermoshi në Konispol” ishte lajtmotivi i së djeshmes.) Ai është po aq bujar dhe fisnik sa dikur, por nuk jemi ne aq miqësorë e zhvillimorë sa duhet me të. Nuk është vetëm “Mis Bjeshka”, lahuta e moçme dhe malli i pashuar i mërgimtarëve të Malësisë në Amerikë që mund ta heqë trishtimin e vetmisë së maleve tona këndej e andej kufirit.

Nëse Rugova, Valbona dhe Thethi janë vetëkthyer në stacione të turizmit malor, kjo tashmë nuk mund të lihet në “rrjedhën” e tyre të lirë. Një strategji kombëtare e turizmit malor do t’i nxirrte nga spontaniteti nismat në fushën e turizmit. Sot nuk mund të shkohet përpara me “kioska” të turizmit, por me resorte të kohës, si në Alpet e Europës. Por ku këto që themi e ku gjendja e sotme e malësive shqiptare të mbuluara nga kanabisi.

Një operacion policor i suksesshëm është njëra anë, është sinjali se shteti po kërkon të bëhet i pranishëm në të gjithë territorin, duke e vënë atë nën kontrollin e ligjit, por dalja e rajoneve të tëra veriore nga harresa e gjatë e tranzicionit është vetë problemi. Edhe pse simbolikat nuk thonë gjithnjë gjithçka, prapë do të na pëlqente që ndonjë ditë, kabineti qeveritar të mblidhej në Malësi të Madhe, Dukagjin apo Tropojë.

Na duhet ta prekim me dorë realitetin që ta ndryshojmë hap pas hapi. E kjo vlen dhe për disa media, të cilat vazhdojnë të gatuajnë me miellin e vjetshëm. Nuk e kupton pse në një stacion televiziv rijepej këto ditë një emision i realizuar një vit më parë për “fëmijët e ngujuar” të Shkodrës dhe një mësuese shëtitëse shtëpi më shtëpi për t’i mësuar ata.

Nëse problemi ishte i një viti më parë, kjo nuk do të thotë apriori se është dhe i këtij shtatori. Nuk është si një koncert artistik ku melodisë nuk i humbet asnjëherë aktualiteti. Emisione të tilla ku gjakmarrja fokusohet vend e pavend krijojnë një imazh surreal te shqiptarët sikur malësia është e mbytur nga “gjaku” etj.

Jo, Dukagjini nuk është i molepsur nga e keqja, përkundrazi atje është mbizotërues virtyti, siç e tregon dhe mikpritja e re e bujtinave, që është veçse ajo e vjetra e kullave. Nga mosprania sa duhet e shtetit për do kohë, ka lulëzuar kanabis sativa, por duket se ky është fundi i saj. Ajo që mëtohet të ndodhë atje e në Lazarat është një fillim tjetër i tyre, pse jo, një rilindje, për të cilën le të kontribuojmë të gjithë.

Top Channel