PD: Rama hesht për çdo rast inkriminimi

30/08/2014 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar sërish heshtjen e kryeministrit Rama ndaj rasteve të politikanëve të inkriminuar, që opozita pretendon se i ka dëshmuar me prova dhe fakte.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Flamur Noka ka përsëritur këto raste, ndërsa ka kritikuar ashpër qeverinë, që sipas tij reagon vetëm në rastet kur i shkon për shtat.

“Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama ka bërë deputet të Kuvendit një të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi, dhe Edi Rama ka heshur, Partia Socialiste ka heshtur.

Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se me Edi Ramën është bërë drejtor rajonal transporti një person i kapur me 750 kg kanabis, është bërë drejtor i ujësjellësit një person i dënuar me 16 vite burg për trafik droge, ka marrë një pozicion kyç në Drejtorinë e Lojërave të Fatit dikush i kapur me 200 kg heroinë, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur.

Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama bëri kryetar të Këshillit të Qarkut personin e arrestuar nga policia italiane dhe të akuzuar nga mediat më të mëdha atje për rrëmbimin e një fëmije, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur.

Kemi denoncuar me dhjetëra raste të personave me preçedentë penalë që kanë kapur zyrat e administratës, me prova e me fakte, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur”, ka thënë Noka.

Ai ka shtuar se, Rama dhe PS zgjodhën të reagonin vetëm dje për një emërim të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

“Kontrollori i Rinasit, që në të shkuarën ishte korrier në Rinas i kalimit të parave të pista, është emëruar në vitin 2012 në agjencinë ANTA, kur kjo agjenci drejtohej nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është emëruar me pëlqimin e Ilir Metës dhe vazhdon të kontrollojë Rinasin me bekimin e Edi Ramës”, ka shtuar Noka.

Top Channel