Ballkani, shpresë për fonde nga BE

30/08/2014 00:00

Pas konferencës për Ballkanin në Berlin, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një intervistë për Top-Channel thotë se tashmë ka nisur një proces nën kujdesin e Gjermanisë, që do të vijojë në 4 vitet e ardhshme, por puna më e madhe u mbetet vendeve të rajonit.

“Së pari besoj se u garantua një proces i strutkuruar i marrëdhënieve mes BE-së dhe Ballkanit në terma politikë dhe ekonomikë, nën patronazhin gjerman. U garantua edhe një ristrukturim brenda vendeve të Ballkanit për mënyrën se si do vijohet me këtë nismë gjermane, pasi do jenë austriakët vitin tjetër që do presin konferencën e radhës. Deri atëherë janë një sërë detyrash që duhet të zbatohen nga vendet pjesëmarrëse në konferencë”, deklaron Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare shpreson se kjo konferencë do të shërbejë edhe në zbutjen e marrëdhënive mes BE-së dhe rajonit në aspektin e përfitimeve të fondeve, tek të cilat për momentin kanë akses vetëm vendet anëtare.

“Të mos harrojmë se hendeku mes BE-së dhe Ballkanit nuk është zvogëluar dhe ne shpresojmë se në të ardhmen do kemi kanalizim të fondeve që sot për sot janë të aksesueshme vetëm nga vendet e BE edhe drejt Ballkanit. Kjo do përshpejtojë rrugën e Ballkanit drejt BE-së, por edhe do përmirësojë situatën ekonomike në Shqipëri dhe gjithë rajonin”, thekson Bushati.

Çfarë po ndodh sot në Ukraninë, thotë Bushati, ishte pjesë e diskutimit në konferencën për Ballkanin, pasi sipas tij vendet e rajonit, pavarësisht shkallës së integrimit në BE, kanë detyrimin për të përafruar qëndrimet e tyre me BE-në. Ndërkohë që Shqipëria mban Presidencën e Nismës së Bashkëpunimit të Vendeve të Europës jug-lindore, Bushati shpalos ambicjet e diplomanicisë shqiptare gjatë kësaj periudhe.

“Është ambicja jonë që gjatë kryesimit të Nismës shumëçka që është diskutuar në Gjermani, apo do diskutohet në vitet e ardhshme me vendet e BE, të bëhet pjesë e prioriteteve të planit të veprimit të presidencës shqiptare dhe ne do koordinohemi jo vetëm me Gjermaninë, por edhe me vendin pasues, që është Austria, në mënyrë që dokumenti i konferencës të avancojë dhe që elementët e qasjes së re të BE ndaj Ballkanit të avancojnë gjithashtu më tej”, shton Bushati.

Top Channel