Elbasani në emergjencë nga ndotja

30/08/2014 00:00

Megjithë apelin e bërë në media për ndotjen alarmante që shkakton djegia e mbeturinave urbane në qytetin e Elbasanit, situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Tashmë djegjet vazhdojnë natën edhe ditën.

Qytetarët e Elbasanit zgjohen çdo mëngjes të mbuluar nga një re e dendur tymi dhe bloze. Askush nuk di se deri në ç’masë arrin ndotja, më pak apo më shumë se normat e BE, por askujt nuk i intereson një gjë e tillë. Ajo që dihet me siguri është se kjo ndotje është shkaktari i dhjetëra sëmundjeve të rënda dhe i qindra vdekjeve të parakohëshme. Qytetarët shprehen të tmerruar nga ajo që po jetojnë këto ditë të nxehta gushti, por edhe të dorëzuar përballë zgjidhjes së largët.

Sikur të mos mjaftonte djegia e mbeturinave në njërën anë të qytetit, në anën tjetër industria bën punën e saj duke e bërë Elbasanin një qytet thuajse të pabanueshëm. Kulmi i ndotjes arrin në mbrëmje për të vijuar deri në orët e para të mëngjesit, por tashmë askush nuk po i trembet as dritës së diellit dhe industria vazhdon të punojë me intensitet edhe ditën.

Në matjet që vetë industria dorëzon pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit, ndotja rezulton të jetë brenda normave të lejuara, por deri në momentin kur nuk do të kemi një monitorim të saktë dhe të pavarur, askush nuk do të dijë ç’po ndodh në këtë qytet.

Top Channel