Beteja për Amerlin, SHBA ndihma nga ajri

31/08/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara nisën një operacion humanitar nga ajri për banorët në qytetin e rrethuar nga ISIS, Amerli, në veri të Irakut.

Lajmi u njoftua nga Departamenti i Mbrojtjes. Rreth 15 mijë banorë, myslimanë shiitë po i rezistojnë prej 2 muajsh ofensivës së ISIS në këtë rajon.

Pentagoni tha se veç hedhjes së ushqimeve, veshmbathjeve dhe ndihmës mjekësore nga ajri, janë ndërmarrë edhe bombardime ndaj pozicioneve të militantëve ekstremistë në rrethinat e këtij qyteti për të dobësuar radhët e tyre.

Si ushtria irakiane, si milicitë shiite dhe luftëtarët kurdë kanë dështuar deri më tani që të thyejnë rrethimin e ISIS në këtë qytet.

Misionit humanitar të Uashingtonit iu bashkuan Britania e Madhe, Australia dhe Franca. Kombet e Bashkuara shprehën frikën e një masakre nëse thyhen barrierat mbrojtëse të ngritura nga vetë banorët në këtë qytet që shtrihet në rajonet kurde të Irakut.

Dy ditë më parë forcat irakiane mundën të zhvendosnin nga ajri gra dhe fëmijë në këtë qytet.

Në një editorial, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry tha se Shteti i Islamik i Irakut dhe Sirisë paraqet një kërcënim unifikues për një numër të gjerë vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe kërkoi një koalicion global kundër tij.

“Ajo që nevojitet për t’u përballur me këtë vizion nihilist dhe axhendë genocide është një koalicion global që përdor mjete politike, humanitare, ekonomike, ligjzbatuese dhe të inteligjencës për të mbështetur forcën ushtarake”, thotë kryediplomati amerikan.

Top Channel