" /> ">

Kurdët në luftë për ëndrrën e tyre

31/08/2014 00:00

Me luftën e tyre kundër organizatës terroriste “Shteti islamik” kurdët irakianë po çojnë përpara edhe projektin e tyre për një shtet të vetin, një dëshirë e hershme që nuk u bë kurrë realitet.

Ndërsa terroristët e ISIS-it po shtrojnë me gjak rrugën drejt një kalifati islamik, duket e largët për ta pyetja: sa do të arrijë të rezistojë kjo strukturë, sepse çdo shtet, edhe nëse e quan veten “kalifat”, në periudhë afatgjatë është i varur nga bashkëpunimi me vende të tjera? Dhe përballë mizorive të pafundme të xhihadistëve të ISIS-it, të paktë do të jenë ata që do të pranojnë t’i afrohen. Se si do t’i mbijetojë kohës një strukture tillë me karakter të fortë fetar, kjo thotë eksperti Kersten Knipp, një herë për një herë mbetet sekret i kalifëve.

Kurdët nga ana tjetër janë duke çuar përpara ndoshta dhe në mënyrë të pavullnetshme atë që ka qenë në dekada të tëra një ëndërr për ta: një shtet të vetin në Irakun Verior. Sot peshmergat kurdë janë të vetmit që po i bëjnë ballë vrullit tmerrues të ISIS-it, edhe pse së fundmi kanë pasur dhe mbështetjen e Amerikës nga ajri.

Në mbarë botën simpatia për kurdët është shtuar, e bashkë me të edhe ideja e mëvetësisë. Nuk ka shumë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu doli hapur në mbështetje të një nisme të tillë duke deklaruar se “kurdët janë një komb luftëtarësh të cilët e kanë provuar angazhimin politik dhe e meritojnë pavarësinë”.

Një përkrahje e tillë konstatoi me qendrimin amerikan që shpreson ta mbajë të bashkuar Irakun e gjunjëzuar prej luftës sektare. Sekretari i Shtetit John Kerry, kur takoi liderët kurdë në Irak u kërkoi të mbështesin qeverinë e Bagdadit në luftën e saj kundër rebelimit të rrezikshëm.

Kendvështrimi amerikan është i një linje me Turqinë kundërshtare të zëshme të një shteti të pavarur kurd: “nuk favorizojmë asnjë formë pavarësie sepse një gjë e tillë do të dëmtonte unitetin politik të Irakut”, deklaroi një zyrtar i lartë turk duke e bërë edhe njëherë të qartë se si e sheh Ankaraja këtë çështje.  

Ajo e ka pasur gjithmonë të vështirë të pajtohet me idenë e një shteti të pavarur kurd, sepse druhet se një projekt i tillë do t`i ushqente dhe kurdët turq me fantazi të reja për mëvetësi.  

E njëjta arsye shtyn edhe Damaskun ta shohë me skepticizëm idenë e një Kurdistani të pavarur, pasi nëse diskutimi do të niste do të vendoseshin në pikëpyetje edhe kufijtë e tyre shtetërorë, të paktën në periudhë afatgjatë.

Por për Knipp, krahas meritës në fushatën kundër ISIS-it, kurdët irakianë mund të paraqesin edhe një argument politik për shtetin e vet: territori i tyre është i vetmi në rajon i cili nuk bazohet mbi një rend shoqëror të bazuar në besimin fetar. Në krahinën autonome kurde jetojnë në paqe me njëri-tjetrin sunitë, të krishterë, jazidë dhe alevitë shiitë, dhe një model i tillë i ngritur përtej kufijve të besimit mund të rrezatonte në të gjithë rajonin, të cilin buzë humnerës e ka çuar pikërisht logjika e përkatësisë fetare.

Top Channel