Megjithëse zyrtarisht pushimet përfunduan edhe për politikanët, socialistët kanë preferuar që mbledhjen e parë të grupit parlamentar ta zhvillojnë në bregdet.

Në një ambient privat në Durrës, pa praninë e medias, që në fillim të kësaj mbledhje, shefi i qeverise iu ka bërë të qartë deputetëve të tij se nuk do të ketë as këtë sesion ndryshime në kabinetin qeverisës.

Pas këtij momenti,  socialistet kanë nisur diskutimet që me ndërprerjen për drekën, kanë vijuar për rreth 10 orë dhe kanë konkluduar me ngritjen e 4 grupeve të punës. Në vëmendje ishte jo vetëm sesion i ri parlamentar, por edhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.  Për organizimin elektoral të partisë më të madhe në vend,  për zgjedhjet që pritet të zhvillohen për herë të parë me ndarjen e re territoriale, është ngritur grupi i punës. Atij i është lëë afat deri në fund të shtatorit për të hartuar raportet dhe strategjitë që do të ndiqen.

Burime nga grupi parlamentar socialist, të konfirmuara nga burime pranë ekzekutivit, bëjnë me dije se përveç zgjedhjeve, një tjetër grup pune është ngritur për administratën publike, për atë që konsiderohet-“skanimi i cilësisë së burimeve njerëzore në administratë”.

Kritikat dhe vërejtjet nga vetë drejtuesit dhe anëtarët e majtë të komisioneve parlamentare, për cilësinë e disa ligjeve që kanë sjellë disa ministri në sesionin e shkuar, socialistët kanë vendosur ta rregullojnë përmes një tjetër grupi pune, për cilësinë e legjislacionit.

Prane zyres se Kryeministrit dhe ministrave gjithashtu do të ketë një sekretar të posaçëm për marrëdhëniet me deputetët.

Mbledhja i ka dhënë përgjigje edhe pakënaqësisë së disa deputetëve socialistë në sesion e shkuar, që si reagim ndaj asaj që ata e quajtën “mungesë të komunikimit” me qeverinë, u larguan nga seanca e parafundit në korrik. Për këtë socialistët besojnë se do të gjejnë zgjidhje te modeli laburist, kur pas çdo mbledhje të përjavshme grupi, u vendos që 3 ore Kryeministri dhe çdo ministër do t’ja kushtojë takimit individuale me deputetët.

Një tjetër grup pune është ngritur për hartimin e rregullores së marrëdhënieve deputetë-qeveri.

Vendimet e grupit socialist, vijnë vetëm një ditë përpara fillimit te sesionit te ri parlamentar. Ndryshe nga tradita ku në seancën e parë miratohej vetëm kalendari i punimeve, këtë të hënë do të hidhen për votim edhe dekretet e Presidentit të Republikës, për ligjet e kthyera prej tij në kuvend, ndër to reforma territoriale, KLD apo ligji për policinë.  Rrëzimi i pritshëm i atyre që Kryeministri i cilësoi  “dekretet verore” të Presidentit, pritet të shoqërohet edhe nga qëndrimi i kreut te shtetit, Bujar Nishani në mesazhin që do të japë për fillimin e sesionit të ri parlamentar.

Ndërsa demokratet do të vendosin mesditën e se hënës nëse do të vijojnë apo jo bojkotin parlamentar edhe këtë sesion, por qëndrimet e javës që u mbyll flasin se partia më e madhe në opozitë do t’i mbetet këtij vendimi.

Mesa duket mazhoranca do të gjejë karriget bosh të demokrateve në Kuvend, duke bërë që oponenca e vetme të mbetet protesta e paralajmëruar përpara fillimit të seancës nga grupi iniciues i firmave për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani.

Pavarësisht protestës, çështja e konsideruar si superskandali i vjedhjes së parave në Bankën Qendrore do të jetë e para që do diskutohet menjëherë nga fillimi i sesioni në komisionin parlamentar të Ekonomisë, të drejtuar nga Erjon Braçe.

Top Channel