Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë për 7 punonjësit inventarit të Bankës së Shqipërisë të arrestuar dy ditë më parë në kryeqytet.

Prokuroria kërkoi gjatë shpjegimeve të saj në seancat për vlerësimin e masës së sigurisë për 7 punonjësit e sektorit të inventarizimit në bankë. Sipas prokurorëve ata shpërdoruan detyrën duke mos kryer një inventar të plotë. Prokuroria tha se edhe pse vjedhja ka disa vite që ka ndodhur inventari nuk u krye, duke i dhënë mundësi të akuzuarve të tjerë të vazhdojnë vjedhjen e tyre.

Ndërkohë që mbrojtja ka kërkuar që klientët e tyre të lihen të lirë, pasi janë të pafajshëm. Ata i mëshojnë fakti se kutitë e përzgjedhura për inventar ishin të rregullta.

“Kanë kryer detyrën dhe inventarët e tyre janë kontrolluar nga zëvendësguvernatori i bankës sipas ligjit. Inventarët janë gjetur të rregullta dhe ata nuk kanë pse të përgjigjen sepse nuk kanë shpërdoruar detyrën. Inventarizimi nuk ka qenë i plotë, jo për gjithçka që ndodhet në bankë”, u shpreh avokati Qazim Gjoni.

Shtatë të ndaluarit, Mehdi Molla, Ilir Deda, Bahri Allushi, Fatbardha Gurthi, Gentjan Jahja, Mehdi Marku dhe Emiljano Lamce,u arrestuan dy ditë më parë në Tiranë, pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, për skandalin e vjedhjes së Thesarit në Bankën e Shqipërisë. Prokuroria doli në përfundim se, të arrestuarit në asnjë prej raporteve të tyre nuk konstatuan asnjë mungesë kartëmonedhash, as në arkën stok dhe as në arkën në veprim.

Fajësia e tyre u zbulua pas marrjes në pyetje të të gjithë të akuzuareve për supervjedhjen e Bankës së Shtetit.

Top Channel