“Të bëhen ato ndryshimi që prishin më pak punë. Ky komision po punon, megjithëse pak ngadalë. Ndryshimet në gjuhë nuk mund të bëhen me nisma vetjake, atëherë do të krijohej një anarki”.

Ky ishte amaneti i profesor Shaban Demirajt mbi ndryshimet  shumë të diskutuara për gjuhën standarde shqipe dhënë në një intervistë për Top Channel në korrik të vitit 2012, atëherë kur sëmundja po rëndonte shëndetin e tij. Ndërsa këtë të diel  ish-nxënës të tij, gjuhëtarë historianë, anëtarë të akademisë së shkencës kanë bërë homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit gjuhëtarit dhe albanologut të çmuar, Profesor Doktor Shaban Demirajt.

Profesor Shaban Demiraj u nda nga jeta  një ditë më parë, në moshën 94-vjeçare. Ndonëse ishte prekur nga hemorragjia cerebrale dhe prej kohësh po vuante pasojat e saj, ai nuk i ndali studimet e tij në fushën e albanologjisë.

“Ikjes së Profesor Shaban Demirajt do t’i shkonte një varg i Lasgushit, “Shtegtoi dhe shtërgu i fundit”. Profesor Shaban ishte nga të fundit të mëdhenj gjuhëtar përfaqësues i asaj plejade të ndritur dijetarësh që vunë themelet e filologjisë moderne shqiptare”, tha Prof Dr.Jorgo Bulo.

“Ndihmesat e tij të mëdha në gramatikën e sotme të shqipes, Në gramatikën akademike kreu i foljes, i cili është më i madhi dhe më i vështiri është fryt i penës së tij. Nga ana tjetër i kemi edhe në fushën e gramatikës historike, ku siç janë shprehur nga në mënyrë metaforike ndonjë herë studiuesit e huaj, “kjo gramatikë është bibla e gjuhës shqipe”, u shpreh Prof. Dr .Rahmi Memushaj.

“Profesor Shaban Demiraj është një nga ata vigan të shkencës shqiptare, të albanologjisë, një nga ata që ka vënë edhe bazat e arsimit tonë të lartë, sidomos në fushën e gjuhësisë. Profesor Demiraj ka dhënë vepra themelore, të cilat do të mbeten për shumë vite dhe janë një kontribut i paçmuar për albanologjinë”, tha Porf.Dr. Kolec Topalli.

Pasioni i profesor Shaban Demriajt për gjuhën dhe gjurmimet albanologjike  u njësuan me të gjithë jetën e tij. Ai është dhe mbetet një autoritet  shkencor elitar, një nga përfaqësuesit më të shquar të fushës së gjuhësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Profesor Shaban Demiraj i solli  shkencës gjuhësore shqiptare, por dhe ballkanike  vlera të mëdha përmes veprave të tij, që sot mbeten monumentale.

Porosia e tij për pasurimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe duhet të ngulitet mirë te çdo shqiptar, gazetarë, gjuhëtarë ose jo.

Top Channel