Drejtuesit e rinj të unionin

31/07/2014 00:00

Nuk flet rrjedhshëm as anglisht dhe as frëngjisht, “çfarë ul pritshmërinë e aftësive të tij për të negociuar” argumentuan disa vende anëtare , megjithatë  Donald Tusk, kryeministri më jetëgjatë në Poloni që pas rënies së komunizmit, nga data 1 dhjetor  bëhet President i BE-së, duke pasuar belgun Van Rompuj, i zgjedhuri i parë sipas traktatit të Lisbonës.

“Për mua thelbi është më i rëndësishëm dhe nevojitet vullnet politik për t’u marrë me kërcënimet e brendshme, me krizën e besimit, por dhe kërcënimet e jashtme. Asgjë nuk është mjaftueshëm mirë në Europën e sotme. Anglishtja ime po ashtu përfshihet. Por do ta polakëzoj anglishten time dhe siç e përmenda do të jem i gatshëm në Dhjetor, 100%, mos kini merak”, deklaroi Donald Tusk.

“Donald Tusk është një prej kryeministrave që shërben më së gjati në Europë. Një prej anëtarëve të Këshillit të BE-së me më shumë përvojë. Gëzon respektin e plotë të kolegëve në Këshillin Europian. Pata kënaqësinë të punoj me të në këto 5 vjet dhe kam qenë shpesh herë në Varshavë dhe Donald Tusk nuk është kompesim për askënd. Ai e meriton detyrën pse është ai që është dhe kjo është mjaft e rëndësishme për mua. Na nevojiten këto cilësi për sfidat që has BE vitet e ardhshme dhe unë shoh 3: stagnacionin ekonomik, Rusi-Ukrainë si kërcënimin më të rëndë të sigurisë së kontinentit prej luftës së ftohtë dhe së treti, vendi i Britanisë në Union”, u shpreh Presidenti i BE-së Herman Van Rompuj.

I lindur ne Gdansk, qytetin kufitar me Rusinë, 57-vjeçari polak  u përfol si alternativa më e mirë pas konfirmimit të ministres Italiane, Federica Mogherini, si përfaqësuese e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, duke pasuar Catherine Ashton nga 1 Nëntori 2014.

“Kush jemi ne? Mendoj se kjo nuk është një pyetje tradicionale konferencash shtypi. Unë vij nga gjenerata e atyre që besojnë se ëndrrat bëhen realitet, duke pasur kujdes që ëndrra të mos kthehet në makth. U përmend kriza ekonomike dhe dua të veçoj mungesën e punësimit. Siç dihet boshllëqet në qasjen për rrogat sjellin vështirësi për jetën në familje, e bën më të vështirë largimin nga prindërit, siç është sot rasti për Italinë e mê gjerë tashmë, pasi nga bisedat me disa prej kolegëve, sidomos të vendeve nordike, vërehet se edhe kur papunësia nuk është problem,  papunësia e të rinjve është shqetësuese për ato vende, ndaj mendoj se ky duhet të jetë prioriteti numër një për të gjithë lidershipin e ri europian. Një politikë e re ekonomike europiane që u lejon vendeve anëtare të sigurojnë se qytetarët e tyre ndjejnë ëndrrën si të tillë dhe jo si makth. Ky prioritet kryesor ecën së bashku çfarë përmenda më parë. Europa u krijua si një projekt për paqe, e megjithëse kjo mund të ngjajë si retorikë, ne duhet ta kujtojmë, sidomos tani, në kohë krizash, konfliktesh e luftërash, kudo rreth nesh. Jam e bindur se së bashku me çfarë po ndodh në Ukrainë, ne duhet të kushtojmë vëmendje ndaj asaj që ndodh në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme. Këto nuk prekin vetëm moralin tonë dhe dinjitetin njerëzor, por dhe interesin tonë, në kuptim të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit, që nuk është veç mesdhetar. Bëhet fjalë për një rajon europian, qoftë kur dëmtohet në jug, qoftë në veri, në lindje apo në perëndim, si kur merremi me azilantë, ashtu dhe kur luftëtarë të huaj vinë drejt nesh. Nuk flitet vetëm për fqinjët më të afërt, por për të gjithë Europën. Puna për paqen jo vetëm brenda territorit tonë por dhe më gjerë në rajon nuk është vetëm referencë ideale ndaj vlerave tona, por dhe një interes i posaçëm ndaj qytetarëve tanë, ndaj këto do të jenë dy prioritetet mbi të cilat unë mendoj se ne duhet të punojmë”, deklaroi, Federica Mogherini, Ministre e Jashtme e Italisë.

Shefja e re e diplomacisë së BE-së pritet të flasë javën e ardhshme në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar mbi prioritetin e zgjerimit gjatë presidencës italiane.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel