Në Maqedoni këtë të hënën ka filluar viti i ri shkollor për 280 mijë nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme. Sipas Ministrisë së Arsimit, nëpër shkollat e gjithë vendit për herë të parë në banka janë ulur 20.000 nxënës të klasave të para, rreth 35 për qind e të cilëve janë shqiptarë.

Kjo shifër është 10 për qind më e lartë se përqindja e popullsisë shqiptare në Maqedoni që doli nga regjistrimi i vitit 2002.

“Kryesisht përqindja është prej 30 deri në 35% e filloristëve që janë shqiptarë dhe ky proporcion mund të jetë edhe për ata nxënës që janë regjistruar në klasën e parë”, deklaroi Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi.  

Megjithatë, dukuria e uljes së numrit të nxënësve që është evidente me vite nëpër komunat maqedonase këtë vit për herë të parë ka prekur edhe komunat me shumicë shqiptare. Për shkak të emigrimit dhe uljes së natalitetit më pak filloristë këtë vit janë regjistruar në shkollat e komunës së Strugës, Kërçovës dhe Likovës. Ndërkohë, viti i ri shkollor në Maqedoni ka filluar me masa të përforcuara higjienike dhe dezinfektim të klasave për shkak të paraqitjes së sëmundjes së verdhëzës në disa komuna.

“Shpall të hapur vitin e ri shkollor dhe të gjithë nxënësve në radhë të parë ju dëshiroj shëndet dhe pastaj suksese në këtë vit shkollor”, uroi Ministri Ademi.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se për të përmirësuar kushtet në këtë sferë këtë vit janë rinovuar 33 objekte shkollore dhe janë ndërtuar 3 shkolla të reja. Megjithatë, pikërisht për gjendjen jo të mirë në arsim, mësimdhënësit pritet së shpejti të hyjnë grevë për të kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira për punë.

Top Channel