“Skulpturat e parkut” në Korçë

01/09/2014 00:00

Ka nisur në Korçë simpoziumi ndërkombëtar “Skulptura e Parkut”. Deri më datë 10 shtator, artistë nga Shqipëria dhe vende të tjera do të krijojnë skulptura prej guri në një ambjent të hapur, ku qytetarët mund të shikojnë të gjithë procesin e punës.

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në konferencën për shtyp të organizuar pranë saj, drejtoresha e Qendrës Kulturore të Korçës, Zamira Kita dhe ideatori i aktivitetit Genti Tavanxhiu, thanë se ky projekt po kontribuon në ngritjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor të Korçës dhe mundëson një shkëmbim eksperiencash mes artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj.

Një bashkëpunim më i mirë kërkohet me qytetarët për mosdëmtimin e veprave. Gjatë Simpoziumit do të hapen edhe laboratorë për fëmijë, pjesë e projektit “Të gdhendim të ardhmen”.

Ky është viti i pestë i organizimit të këtij simpoziumi. Deri më tani janë realizuar 32 vepra të artit abstraksionist, të cilat janë vendosur në parkun Rinia të qytetit të Korçës.

Top Channel