Vizitën e parë jashtë vendit si president i ri i Turqisë, Recep Tayp Erdogan e ka bërë në Qipron veriore, duke shkaktuar menjëherë reagimin e qeverisë greke dhe duke rritur sërish në kulm tensionin midis Ankarasë dhe Athinës.

Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke e ka quajtur të paligjshme këtë vizitë dhe i ka cilësuar deklaratat e tij si një tregues i politikës pushtuese ndaj Republikës Qipriote, anëtare e BE.

Nga ana e tij, Erdogan ka paralajmëruar edhe Nikosinë edhe Athinën se dritarja e mundësisë për përpjekjet e filluara në 2008 për krijimin e një shteti ku turqit dhe grekët të jenë të barabartë nuk do të jetë gjithnjë e hapur.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë ofertë që nuk sponsorizon një zgjidhje dyshtetërore. Ne mund të pranojmë vetëm një shtet federal që është i bazuar në parimin e një zgjidhjeje me dy shtete. Përndryshe ne nuk mund ta pranojmë atë. Ne duhet të jemi të barabartë. Barazia politike është shumë e rëndësishme. Askush nuk ka të drejtë të imponojë një tjetër mundësi për ne”, deklaroi Erdogan.

Nga konferenca e shtypit me liderin e turqve qipriotë, Dervish Eroglu, Erdogan pasi ka dëgjuar edhe kërkesat e gazetarëve greko-qipriotë për hapjen e shkollës teologjike të Halkit, ka theksuar se janë grekët ata që nuk kanë mbajtur premtimet për riparimin dhe hapjen e dy xhamive turke në Athinë.

Ai ka ftuar grekët e vjetër të Stambollit që janë dëbuar disa dekada më parë të kthehen në shtëpitë e tyre, por njëkohësisht ka kërkuar nga Athina dhe BE-ja që anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike të Stambollit të kenë nënshtetësi turke, sipas marrëveshjeve të Lozanës.

Gjithashtu, ai ka pretenduar që edhe kryemyftiu i Trakës, ku jeton minoriteti mysliman në Greqi, të cilin Ankaraja e konsideron si minoritet turk, të zgjidhet nga populli dhe jo të emërohet nga qeveria greke.

Qipriotët grekë dhe turq janë ndarë që nga viti 1974, kur Turqia pushtoi veriun e ishullit pas një grushti shteti në Greqi. 40 vjet më vonë ndarja e pushtetit, kufijtë e pronave dhe pretendimet për mijëra persona të zhdukur janë çështje kyçe në konfliktin midis dy vendeve dhe pengesa për bashkim.

Ndarja është një kokëçarje e madhe për Brukselin, pasi Qipro, si anëtare e BE e mbështetur edhe nga Athina, ka të drejtën e votës kundër dëshirës së Turqisë për t’u bashkuar me familjen europiane.

Top Channel