Greqia ka thyer rekordin e saj historik për numrin e turistëve që vizituan dhe që parashikohet të vizitojnë vendin gjatë 2014-s. Ministrja greke e Turizmit, Olga Qefalojani është shprehur tepër e kënaqur me shifrat gjithnjë e në rritje të turizmit helen.

Sipas saj, numri i turistëve, bashkë me ata që do të vizitojnë Greqinë deri në fund të vitit, llogaritet se do të arrijë në rreth 21 milionë, ose 15% më shumë se një vit më parë. Ndërsa plot 13 miliardë euro më shumë hynë në arkën ende bosh të shtetit grek.

Minsitrja thotë se kanë qenë disa ndërhyrje në tregun e turizmit vendas, si ulja e çmimeve, rritja e cilësisë, si dhe liberalizimi i lëvizjes në porte dhe aeroporte, që kanë mundësuar që kjo të jetë një histori suksesi.

Qeveria greke ka gati një plan masash për të zgjeruar influencën e saj në tregun e turizmit, ku krahas deteve të saj të klasifikuara me flamuj të kaltër nga Bashkimi Europian, synon të shtoje kapacitetet në turizmin fetar, kulturor dhe atë dimëror.

Një zbulim i madh arkeologjik i bërë ditët e fundit në Seres të Greqisë veriore, por edhe hapja e tregut grek ndaj turistëve turq, arabë, kinezë, rusë, por edhe ballkanas po e klasifikojnë sërish vendin në lidershipin e turizmit botëror.

Lajmet e mira duket se pasojnë njëra-tjetrën, kur vetëm pak ditë më parë qeveria kineze njoftoi se ka filluar faza përfundimtare për fillimin e fluturimeve direkte nga Kina në Greqi, çka do t’i shtojë edhe gati një milion turistë Greqisë.

Në të njëjtin nivel konsiderohen edhe informacionet se investimet kineze, ruse dhe arabe në fushën e turizmit do të shtohen ndjeshëm në vitet në vazhdim.

Klima e mirë dhe strategjia efikase e Athinës zyrtare, në bashkërendim edhe me situatën gjeopolitike në rajonin e Mesdheut, ka bërë që operatorët turistikë më të mëdhenj në botë të kthejnë sërish sytë nga Greqia, të cilën e kishin lënë mënjanë vitet e fundit.

Kjo, për shkak të situatës negative ekonomike dhe protestave të dhunshme të shënuara në kryeqytetin helen vitet e fundit, por edhe për korrupsionin e lartë e pasigurinë fiskle që mbizotëronte në vend. Tashmë ajo klime negative ia ka lënë vendin optimizmit se një kohë e re ka filluar për ekonominë greke.

Top Channel