Berlin, memorial për të gjymtuarit e nazizmit

02/09/2014 00:00

Një monument i qelqtë është hapur për publikun në Berlin, i cili u dedikohet rreth 300 mijë viktimave të nazizmit, të cilët kanë mbetur me çrregullime mendore apo fizike, apo edhe me sëmundje kronike.

Muri i qelqtë ngjyrë blu, rreth 24 metra i gjatë, ndodhet përballë ndërtesës së Filarmonisë së Berlinit, ku qëndronte dikur zyra që strehonte të përfshirët në programin nazist të “eutanazisë”.

Ky është monumenti i katërt në kryeqytetin gjerman, i cili u dedikohet viktimave të nazizmit. Në 10 vitet e fundit, memoriale të tilla janë ngritur për viktimat hebreje, romë dhe homoseksualë.

Nën programin fillestar të Adolf Hitlerit, nazistët vranë më shumë se 200 mijë persona që nga fillimi i vitit 1940 e deri në Gusht të 1941-shit, duke u fokusuar kryesisht te pacientët e klinikave të shëndetit mendor apo shtëpitë e kujdesit ndaj të moshuarve.

Ai njihej si T4, duke marrë emrin e zyrës së “Tiergartenstrasse 4”, nga ku bëhej komandimi i këtij programi, i cili vazhdoi fshehurazi edhe për 4 vite të tjera, duke përdorur dhomat e gazit dhe qendrat e vrasjeve të përdorura në Gjermani dhe Austri.

Ky program u konsiderua më pas si një prekursor i Holokaustit, gjatë të cilit mbetën viktima rreth 6 milionë hebrenj.

Top Channel