Ebola konsiderohet si një prej epidemive më të rrezikshme që është përhapur me shpejtësi në disa vende të Afrikës perëndimore. Origjina e virusit është e panjohur, por sipas të dhënave të deritanishme, lakuriqët e natës janë “rezervuarë” të virusit.

Ebola mund të konsiderohet edhe si “virusi i maktheve”. Vdekshmëria e të infektuarve me të është 90% dhe për disa kohë mendohej se do të ishte mortaja e dytë, si ajo e viteve 1400. Sëmundja për herë të parë është lajmëruar në vitin 1976 në provincën ekuatoriale të Zairesë, 350 km larg nga Sudani.

Por, çfarë duhet të dimë për virusin Ebola?  Shpërthimi i Ebolës është më i madhi në histori. Përhapja në Liberi, Guine dhe Sierra Leone ka infektuar më shumë se 1300 njerëz dhe ka vrarë më shumë se 700 gjatë këtij viti.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka dhënë alarmin se shpërthimi ka dalë jashtë kontrollit dhe se pasojat mund të jenë katastrofike në humbjen e njerëzve dhe në rritjen e krizave ekonomike nëse nuk bëhen përpjekje më të mëdha që tani. Shkalla e tanishme e vdekjes është rreth 70%. Ata që e përballuan më lehtë, ishin ata pacientë që kërkuan ndihmë të menjëhershme mjekësore.

Nuk ka vaksinë ose shërim për Ebolën. Ajo mund të duket si sëmundjet e tjera. Sipas OBSH-së, shenjat e para të infeksionit me Ebola përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe dhimbje të fytit. Mund të jetë e vështirë për të dalluar ndërmjet Ebolës dhe malarjas, etheve të tifos apo kolerës.

Ebola mund të përhapet vetëm nëpërmjet lëngjeve trupore. Njerëzit duhet të bien në kontakt me lëngjet trupore (gjak, djersë, pështymë) nga personi i infektuar.

Cfarë po bëhet për të luftuar Ebolën? Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi kërkohen para’. OBSH-ja thotë se duhet të organizohet një fushatë me 100 milionë dollarë për të vënë më shumë para’ dhe ekspertë në dispozicion në tre vendet ku ka shpërthyer epidemia.

Ebola ka tronditur botën kohët e fundit, por ekzistojnë viruse edhe më të rrezikshme se ajo në planetin tonë. Ekspertët e shëndetit publik në SHBA kanë listuar 5 viruse që janë po aq të rrezikshëm e ndoshta më shumë se Ebola.

Tërbimi – Sipas qendrave për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve në SHBA, gjatë 100 viteve të fundit tërbimi ka rënë ndjeshëm si kërcënim i shëndetit publik. Aktualisht, çdo vit vdesin 2 persona të infektuar nga ky virus, i cili është transmetuar tek njerëzit përmes pështymës kur ata janë kafshuar nga kafshët e infektuara.

Virusi HIV – Edhe pse numri i vdekjeve të shkaktuara nga ky virus ka rënë vitet e fundit, sipas OBSH-së 1.6 milionë persona vdesin çdo vit nga kjo sëmundje. Virusi sulmon qelizat imune të një personi dhe dobëson sistemin imunitar me kalimin e kohës, duke e bërë shumë të vështirë për individin të luftojë sëmundjet e tjera.

Gripi – Mund të mos tingëllojë shumë i frikshëm, por gripi vret më shumë persona se Ebola gjatë një viti. Nuk mund të flitet për shifra ekzakte, por është një ndër sëmundjet më vdekjeprurëse.

Viruset e bartura nga mushkonjat – Një numër i madh i sëmundjeve përhapen përmes mushkonjave. Viruse të tilla si ethet tropikale, virusi i Nilit apo ethet e verdha shkaktojnë rreth 50 mijë viktima në vit. Edhe malarja transmetohet përmes mushkonjave.

Rotavirusi – Ky virus gastrointestinal është një problem shumë serioz për fëmijët e të gjithë botës. Rreth 111 milionë raste raportohen çdo vit nga ky virus.

Top Channel