Nesër del libri i Valerie Trierweiler, që “nuk kursen” presidentin Hollande

03/09/2014 00:00

Nesër del libri “shokues” i ish-Zonjës së Parë të Francës, Valerie Trierweiler, që pritet të shkaktojë shumë diskutime. Libri titullohet “Falemnderit për momentet” flet për marrëdhënien dhe tradhëtinë e Francois Hollande. Në media, në revistën “Paris Match”, janë prezantuar disa nga pasazhet e para, që japin një aromë të asaj që pritet të lexojmë.

“Lajmi për Julie Gayet ishte titulli i parë i gazetave në mëngjes. Nuk mundem që ta dëgjoj, nxitoj për në tualet. Marr qesen plastike me pilula. Francois më ndjek dhe kërkon të më heqë nga dora ilaçet. Më dërgon mesazhe dashurie. Më shkruan që jam jeta e tij dhe që nuk bën dot pa mua”, shkruan Valerie.

Sipas saj, Francois Hollande i dërgonte rreth 29 mesazhe në ditë. “Dëshiron që të kthehemi sërish bashkë, cilido që të jetë çmimi që duhet të paguajë. Francois më thotë që ka nevojë për mua dhe çdo natë më kërkon që të takohemi. Hollande më lutej”, shkruan Valerie Trierweiler. Catherine Schwaab, kryeredaktore e “Paris Match”, që e ka lexuar paraprakisht librin, thotë se “pas një takimi me Obamën dhe një tjetri me Putin, presidenti nuk pushonte së dërguari mesazhe dashurie dhe gjithashtu gjente kohën për t’i dërguar edhe lule Valerisë së tij”.

“Shikoj rastin e Michelle Obamas dhe nuk jam gruaja e vetme xheloze”, dhe ish-Zonja e Parë e Francës ndalet dhe përshkruan episodin e “selfie”-t të Obamas me kryeministren daneze, në funeralin e Mandelas. “Gjatë ceremonisë, imazhet e presidentit Obama, që bën një ‘selfie’ me kryeministren daneze, bënë xhiron e botës. Në atë moment pashë fytyrën e ngrysur të Michelle në krah të tij dhe më pëlqeu akoma më shumë. Gëzohem që nuk jam gruaja e vetme xheloze. Po, jam xheloze, siç kam qenë për çdo burrë që kam dashur. Nuk mund të mos jem kur jam e dashuruar”, shkruan Valerie.

Një nga pikat e forta të librit flet edhe për një takim në të njëjtën tavolinë mes Francois Hollande, Segolene Royal dhe Valerie Trierweiler. “Isha me të, po flisnim për gjithçka dhe po qeshnim. Papritur shfaqet Segolene Royal (ish-bashkëshortja e Hollande), që po shihte drejt nesh. E paralajmërova Francois, sepse ishte ulur me shpinë nga hyrja e restorantit. Ai mendonte se po bëja shaka, vetëm kur Segolene erdhi në tavolinë. Shpresoj të mos iu shqetësoj – tha ajo. – Francois nuk arriti të thotë asnjë fjalë. Unë i përgjigjem dhe i them se ishim duke folur për Turin e Francës. Dhe ajo më thotë – mjaft me shaka të tilla!”.

Libri pritet të na befasojë me ndodhitë që Valerie tregon, si pjesëtare prej disa vitesh e Pallatit Elize.

FOTO GALERI
1/1
Nesër del libri i Valerie Trierweiler

Top Channel