Në ndryshim nga herët e tjera, takimi i specialistëve grekë të Financave me përfaqësuesit e kreditorëve të Greqisë, e ashtuquajtura “Trojka”, që shqyrton për herë të fundit përparimin e reformave të Athinës, zhvillohet në Paris.

Ky fakt ka nxitur spekulimet se negociatat mund të prodhojnë një marrëveshje me bazë të gjerë për çështje të mëdha, duke përfshirë lehtësimin e mëtejshëm të borxhit dhe nevojat shtesë për financim për Greqinë, që duket se pas dy paketave të shpëtimit që i kanë dhënë BE, BQE dhe FMN, po del nga një recesion gjashtëvjeçar.

Nga Brukseli ka pasur kritika se, pas zgjedhjeve për PE, Athina ka ngadalësuar ritmin e reformave, ndërsa ministri i ri i Financave beson se kthesa për stabilizimin e financave të vendit ka filluar.

“Ne duam të tregojmë se jemi brenda synimeve, përsa i përket anës fiskale dhe reformave strukturore. Gushti ishte një muaj i vështirë, si për amerikanët, ashtu edhe për grekët. Grekët qëndruan në punë, nuk morën pushime dhe ne jemi gati përpara afatit”, tha ministri grek i Financave, Gikas Hardouvelis.

Ndërkohë, synimi i qeverisë greke është që të kërkojë një ndihmë shtesë për të mbushur boshllëkun financiar në dy vitet e ardhshëm, që vlerësohet rreth 10 mld euro, si dhe një reduktim i borxhit kolosal, që pritet të arrijë kulmin në 177.2% të PBB këtë vit, me shpresën për të rënë në vitet e ardhshme.

Vendi gjithashtu përballet ende me papunësinë rekord në shifrat 27%, pavarësisht bumit turistik dhe daljes së Greqisë me sukses për dy herë në tregjet e bonove të thesarit, pas një mungese katërvjeçare.

Samaras, që viziton të shtunën Selanikun, në panairin tradicional të Shtatorit, pritet që të premtojë lehtësimin e taksave dhe të paraqesë një hartë për stabilizimin e situatës ekonomike dhe fillimin e procesit të rimëkëmbjes së vendit, në një situatë tepër kyçe – siç e ka quajtur ai, – për të ardhmen e Greqisë.

Top Channel